Meta pas vendimit të OKB-së për Shqipërinë: I bindur se do ta përmbushë me përgjegjësi këtë detyrë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas vendimit që Shqipëria të bëhet pjesë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Meta ka thënë se Shqipëria do ta përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme.

VIDEO:

“Përshëndes zgjedhjen sot të Shqipërisë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 65 vite anëtarësi në këtë Organizatë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global. Sfidat janë të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira, por shpreh bindjen se vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme”, ka shkruar ai.

Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria ka arritur të zgjedhet anëtare e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për vitet 2022-2023.

Në votim morën pjesë 190 vende anëtare, por 15 prej tyre nuk e mbështetën shtetin shqiptar në këtë votim. /Insajderi.com