Mimoza Kusari-Lila flet për takimin “kokë më kokë” të Kurtit me Vuçiqin në Bruksel

Mimoza Kusari

Të martën më 15 qershor do të mbahet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

VIDEO:

Spektri politik në vend ka vlerësimë të ndryshme rreth këtij takimi.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se duke ditur qëndrimet e deritashme të palës serbe, përkatësisht të presidentit Vuçiq, atëhere nuk pret shumë nga ky takim.

“Them të drejten duke ditur qasjen dhe qëndrimet e deritashme të presidentit Vuciq nuk kam ndonjë pritje të madhe përveç faktit se do të zhvillohet takimi. Për dinamikën e takimit mbetet të shihet pas kryerjes së takimit. Sepse i dimë pozicionet e palës serbe, e cila nuk ka reflektuar fare në gjithë problematiken e këtij procesi në këtë dekadë. Andaj edhe nuk mund të mendohet se në këtë takim do të ndodhë diçka transformuese në procesin e dialogut”, ka thënë Kusari- Lila për “Indeksonline”.

E pyetur se a mund të shtrohet në tavolinën e bisedimeve, çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ajo ka thënë se kjo çështje i takon organizatorit të takimit.

“Në bazë të asaj që kanë deklarauar përfaqëesuesit e BE-së, agjenda paraprakisht duhet të dakordohet. Por, ma merr menja që një agjendë e tillë duhet të bëhet publike nga organizatorët dhe nga pjesëmarrësit”, ka shtuar ajo.

Ky takim shënon edhe rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi. Për herë të parë Kurti në cilësinë e kryeministrit do të ketë një takim ‘kokë më kokë’ me presidentin serb, Vuçiq, për çështjen e dialogut.