Ministrja Gërvalla takon ambasadorin hungarez në Kosovë, diskutojnë për pandeminë COVID-19

MPJ

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, sot ka pritur në takim ambasadorin hungarez në Kosovë, Jozsef Bencze, nga i cili ka marrë përgëzime për detyrën e re.

Ministrja Gërvalla pasi që ka falënderuar shtetin hungarez për ndihmën e vazhdueshme, ka rikujtuar se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë datojnë jo vetëm nga periudha e fundit, por edhe nga zhvillimet historike në periudha të ndryshme kohore.

VIDEO:

Në këtë kontekst, zonja Gërvalla shfaqi shpresën se këto marrëdhënie të mira do të vazhdojnë së kultivuari dhe do të thellohen edhe më tej, jo vetëm në sferën e diplomacisë, por edhe në arsim, kulturë e turizëm.

Ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Hungarisë në rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Çështje e diskutimit në këtë takim ishte edhe përpjekja e Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Të dy palët u pajtuan se nevojitet mobilizim dhe përkrahje globale, në mënyrë që vendet si Kosova të mund të sigurojnë sasi të mjaftueshme vaksinash për të gjithë qytetarët.