Minxhozi për vendimin e leje-qëndrimit Kosovë-Shqipëri dhe anasjelltas: Është një bashkim ekonomik

Qemal Minxhozi

Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim që të realizojë një marrëveshje me Kosovën, marrëveshje kjo që do të nënshkruhet ditën e premte ndërmjet dy qeverive të të dyja shteteve ku vetëm me një aplikim të thjeshtë kosovarët mund të marrin leje-qëndrim në Shqipëri.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se kjo do të jetë një mundësi e mirë për kosovarët dhe shqiptarët pasi mund të punojnë në shtetet e njëri-tjetrit.

VIDEO:

“Është për shtetasit e dy anëve të kufirit si për ata të Shqipërisë si për ata të Kosovës shumë shpejt me vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës dhe qeveria e Shqipërisë shtetasit e Shqipërisë që punojnë në Shqipëri nuk do të kenë nevojë për leje qëndrimi në territorin e Kosovës nëse ata kanë një letër pune, e njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri, do të ketë një unifikim praktikash që nuk ka rëndësi i kujt shteti je brenda këtij kombi, i Shqipërisë apo i Kosovës, ti mund të punosh mund të jetosh për një periudhë pesë vjeçare, si në Prishtinë, Tiranë, Sarandë, Gjilan e tjera dhe mbas pesë vjetësh merr prapë një leje tjetër qëndrimi të përhershme. Ky është një lajm shumë i mirë që ka të bëjë me lirshmërinë e lëvizjes të qytetarëve, me mundësinë e punës dhe kontributet e tyre në rritjen ekonomike si të Shqipërisë edhe të Kosovës”, ka thënë ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, për Info Magazine.

Sipas tij kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2022.

“Kjo pritet në janar të jetë e gatshme për të filluar ky proces gjithashtu edhe për shtetasit që janë buzë kufirit do ketë lehtësira të jashtëzakonshme në një territor 30 kilometërsh brenda hapësirës së Kosovës dhe 30 kilometërsh në brendësi të Shqipërisë, shtetasit mund të lëvizin vetëm me një ID që të thotë unë jam nga kjo zonë dhe mund të hyj në territorin e Kosovës ose Shqipërisë pa pasur nevojë për pasaportë biometrike”, ka vazhduar ai.

Kjo sipas Minxhozit mund të shihet si një bashkim ekonomik pasi kosovarët mund të shkojnë edhe për pushime edhe për punë në Shqipëri dhe anasjelltas.

“Është një bashkim ekonomik, është një diçka që një shtetas i Kosovës që ka qejf të shkojë në Sarandë mund të mos shkojë vetëm si një pushues por edhe si kontribuues për vetën e tij, për familjen e tij, për shoqërinë, duke punuar atje duke u punësuar në sektorin e turizmit ku Shqipëria ofron shumë mundësi punësimi në kohën e verës ashtu siç ofron mundësi Kosova në periudhën e dimrit për shtetasit e Shqipërisë”, ka shtuar ambasadori shqiptar në Kosovë.

Minxhozi shtoi se ky vendim i heq të gjitha barrierat e mundshme.