MPJ sqarohet për pakot që nuk po i dërgohen ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është sqaruar për akuzat se kanë marrë vendim për të ndaluar dërgimin e pakove higjienike për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, transmeton Insajderi.

Sipas kësaj ministrie, ka skaduar kontrata me operatorin për dërgimin e pakove jashtë vendit.

VIDEO:

“Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka skaduar kontrata me operatorin për dërgimin e pakove jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e divizionit për komunikim me publikun të MPJ-së.

Më tej është bërë e ditur se arsyet janë ligjore, teksa njoftohet se po punohet për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt.

“Arsyet janë ligjore dhe lidhen me të kaluarën. MPJD-ja është duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë”, thuhet në përgjigje.

Vajza e Jakup Krasniqit, Gresa Krasniqi, përmes një postimi në Facebook tha se Donika Gërvalla, ministrja e Punëve të Jashtme, nuk po i lejon të dërgojnë pako me gjëra esenciale për babanë e saj që ndodhet në paraburgim në Hagë.

“Pakot me gjëra esenciale deri tash i kem dërgu në dhomat e paraburgimit në Hagë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Donika Schwarz, paska marr vendim që ato pako mos me u dërgu përmes Ministrisë së saj”.

“Ajo duhet me i lënë anash ose inatet personale ose ministrinë që aq dobët e udhëheq ose të përgjigjet për veprimet e saj! Krejt dhe Zhdrejt!”, ka shkruar Krasniqi. /Insajderi.com