Nagavci shkarkon nga KShC anëtarin që e emëroi Likaj DOKUMENT

Ministrja e Arsimit

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërije Nagavci e ka shkarkuar anëtarin e bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Binak Beqaj, të cilin e kishte emëruar ish-ministri, Ramë Likaj.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com ajo e ka shfuqizuar vendimin që Likaj e kishte emëruar Beqajn si anëtar, e që nuk u ratifikua në Kuvendin e Kosovës, ashtu sic parashihet sipas nenit 7, pikës 4 të Ligjit për Arsimin e Lartë.

VIDEO:

Më 4 shkurt, tre anëtarët ndërkombëtarë, Jeff Butel, Herb Amato dhe Magdalena Ziolo si dhe dy anëtarët vendor, Gazmend Luboteni, Vjollca Krasniqi, kanë dhënë dorëheqje nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Tre anëtarët ndërkombëtarë kishin dhënë dorëheqje për shumë arsye, por ndër të tjera edhe për mos deklarim të pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion.

Ndërsa dy anëtarët vendor kanë thënë se janë munduar që të përmirësojnë cilësinë në arsimin e lartë pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga jashtë dhe brenda KShC.

Aktualisht në bord kanë mbetur tre anëtar: Arta Jakupi, Dukagjin Zeka, Rozafa Koliqi.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, është organ politikbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

KShC merr vendim për akreditim me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.