Naomi Osaka fituese e ‘Australian Open’ në konkurrencën e femrave

Tenistja japoneze Naomi Osaka është fituese e edicionit të këtij viti në Australian Open, pasi në finale ajo ishte më e mirë se rivalja e saj amerikane Jennifer Brady, njofton Insajderi.

Aktualisht tenistja e tretë në botë sipas listës së WTA-së, Osaka mposhti tenisten e 22-të në botë, Brady, me rezultatin 2:0 (6:4 dhe 6:3) në finalen e turneut të parë Grand Slam të sezonit.

VIDEO:

Momenti kyç i ndeshjes ndodhi në lojën e dhjetë të setit të parë kur Brady nuk mundi ta përballonte presionin dhe humbi servisin që solli Osaka-n në epërsi 1:0 në sete. Në setin e dytë, Osaka luajti edhe më sigurt dhe justifikoi rolin e favorites.

Ky është titulli i katërt Grand Slam në karrierën e tenistes japoneze, e cila tani ka dy trofe nga Australian Open dhe US Open në vitrinat e saj.

Kështu, 23-vjeçarja Osaka u bë tenistja e cila fitoi të katër finalet që luajti në turnetë Grand Slam, kurse para saj vetëm Monica Seles ka arritur ta bëjë një gjë të tillë. /Insajderi.com