NATO deklarohet për vendosjen e bazës ushtarake të FSK-së në Mitrovicë

NATO

Ditë më parë është raportuar se Komuna e Mitrovicës së Jugut ka ndarë një truall për ushtrinë e Kosovës për të ndërtuar një bazë ushtarake në vendin e quajtur “Kodra e Cërrnushës”.

Vendi në fjalë është konsideruar si pikë strategjike, meqë shihet qartë e gjithë Mitrovica.

Por janë pikërisht serbët të cilët një lëvizje të tillë e kanë konsideruar si provokim.

VIDEO:

Madje të njëjtit nuk kanë ndaluar deklaratat që nga momenti i publikimit të këtij informacioni.

Mediat serbe së fundi kanë raportuar se NATO ka njoftuar së fundi se vendimi për ndërtimin e bazës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në jug të Mitrovicës ishte bërë nga autoritetet e Kosovës dhe se para çdo angazhimi të FSK-së, leja kërkohet nga komandanti i KFOR-it.

“Vendimi për ndërtimin e bazës u morë nga autoritetet e Kosovës. Prandaj duhet të kontaktoni me ta për ndonjë koment. Para çdo angazhimi në pjesën veriore të Kosovës, FSK-së i duhet leja e komandantit të KFOR-it në përputhje me marrëveshjen e arritur me institucionet e Kosovës, të cilën NATO pret të vazhdojë me zbatimin e saj”, u tha në përgjigjen e NATO-s, shkruan lajmi.net.

Tutje u theksua se ata mbështesin FSK-së në mandatin fillestar dhe përmes ekipit këshillues ndërlidhës.

“Deri më tani FSK-ja brenda mandatit të saj origjinal ka treguar se është në gjendje të kryejë operacione në lidhje me reagimin ndaj krizës dhe mbrojtjes civile dhe të ndihmojë autoritetet civile për t’iu përgjigjur katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera, për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, u tha në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s për Kossev.

I njëjti shtoi se KFOR dhe FSK janë duke bashkëpunuar dhe po kryejnë aktivitetet të përbashkëta për heqjen e mjeteve shpërthyese.

Të pyetur nëse diçka ka ndryshuar në qëndrimin e NATO-s ndaj FSK-së, të njëjtën deklaruan se duhet të vazhdojnë të rishikojnë nivelin e angazhimit të tyre.

Poashtu u shtua se mbeten të përkushtuar ndaj sigurisë së Kosovës dhe stabilitetin rajonal dhe se vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre të mandatuar nga Kombet e Bashkuara, me qëllim të sigurimit të një ambienti të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Siç theksuan të njëjtit, ata vazhdojnë të mbështesin dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit, si zgjidhja e vetme e përhershme politike për Kosovën dhe rajonin.

“I bëjmë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të sigurohen se nuk ka tensione dhe të përmbahen nga deklaratat ose veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim dhe të qëndrojnë të përqëndruar në përparimin me reforma dhe dialog”.

Lidhur me këtë çështje së fundi u deklarua edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili tha se stabiliteti dhe paqja do të ruhen në Kosovë, por se nëse ekziston rreziku serioz ose kërcënim për popullin serb “serbët nga Kosova dinë gjithçka”.

Ndërsa Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri i bëri thirrje Vuçiq-it që të tërheqë deklaratën e tij dhe të punojë për njohjen e Kosovës, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund t’i shërbejë vendit të tij dhe tërë rajonit.