Ndahen 100 mijë euro për studentët që pranohen në universitetet jashtë vendit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka vendosur që të shpallë thirrje për mbështetjen e studentëve të pranuar në universitete të ndryshme të botës, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Nagavci ka thënë se nga kategoria e mjeteve të parapara për granted he subvencione do të ndahen 100 mijë euro për këtë thirrje.

VIDEO:

“Që nga koha kur kam pranuar detyrën e Ministres së Arsimit, kam pranuar me dhjetëra kërkesa nga të rinjtë tanë për përkrahje financiare të studimeve jashtë vendit. Andaj dhe kam vendosur që të shpallim thirrjen për mbështetjen e studentëve të pranuar në universitete të ndryshme të botës. Kjo është mbështetje simbolike krahas angazhimit tuaj për shkollim dhe për të fituar kultura të reja nga vende të ndryshme të botës”, ka shkruar ajo.

“MASHTI, ofron edhe bursa e subvencione të tjera për studentët dhe studiuesit tanë, por e kam parë të rëndësishme që nga kategoria e mjeteve të parapara për grante dhe subvencione të ndajmë 100.000 euro me anë të kësaj thirrjeje publike”, shtoi më tej Nagavci.

Ajo ka shprehur bindjen se mundësitë që u ofron Kosova studentëve të saj, ata do t’i kthejnë me kontibut për shoqërinë dhe vendin. /Insajderi.com