Ndalimi i prodhimit të kriptovalutave, drejtori i Doganës tregon rastet kur i konfiskojnë pajisjet dhe çfarë do të ndodhë me to

Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës janë duke vazhduar me aksionet për konfiskimin e aparateve për prodhimin (mining) e kriptovalutave, ku deri më tani janë konfiskuar rreth 500 pajisje, në rajonin e Mitrovicës dhe atë të Prishtinës.

Aksioni për konfiskimin e këtyre pajisjeve vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në vend pas krizës me energji elektrike.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu në emisionin “Përballje”, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com ka folur për aksionet që kanë ndërmarrë gjatë këtyre ditëve, duke sqaruar se si po bëhet konfiskimi i këtyre pajisjeve dhe pse.

Llugaliu ka thënë se janë dy situata kur po ndodhë konfiskimi, duke shtuar se pajisjet që kanë konfiskuar deri tani nuk kanë qenë të deklaruara në doganë dhe se nuk kanë pasur asnjë dëshmi.

VIDEO:

“Ne e pamë që rishtazi është një vendim që e shpalli gjendjen emergjente çështjen e furnizimit me rrymë, një krizë e cila në nivel global ka goditur të gjitha shtetet. Tek pjesa e veprimit të Doganës së Kosovës, ne e kemi parasysh vendimin e Qeverisë për ilegalizimin e veprimtarisë në rrethana aktuale, mirëpo pjesa e konfiskimit që ka ndodhur bazohet në faktin se pajisjet e njëjta nuk kanë prejardhje, janë të kontrabanduara. Dokumente që dëshmojnë së këto pajisje kanë hyrë në mënyrë legale, kjo është aspekti kryesor pse ndodhë konfiskimi”, ka sqaruar ai.

Megjithatë, drejtori Llugaliu bëri të ditur se edhe pajisjet që kanë dokumentacion dhe që janë duke operuar konfiskohen, pasi që kjo veprimtari po konsiderohet jo ligjore.

“Por janë edhe arsyet tjera pse ndodhë konfiskimi kur një veprimtari konsiderohet jo ligjore atëherë dhe vet operimi i pajisjeve është jo ligjor, dhe një prokuror mundet të urdhërojë që pajisjet si mjet i kryerjes së veprës të konfiskohen. E kemi edhe këtë situatë, mirëpo nëse dikush i ka pajisjet me dokumentacion, por nuk i fut në rrymë i njëjti nuk do të ketë problem.Vet fakti që i ka në veprim e dëshmon se është kundër qeverisë”, theksoi Llugaliu.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu gjatë intervistës për emisionin “Përballje”, foto: Korab Basha

Drejtori bëri të ditur se pajisjet që janë konfiskuar në Mitrovicën e Veriut dhe qytetet tjera të gjitha kanë qenë të kontrabanduara.

Në emisionin “Përballje”, Llugaliu bëri të ditur se në rrethana normale, pajisjet e konfiskuara dalin në shitje, por që në këto rrethana ato do të ruhen.

“Rëndom ne i nxjerrim në shitje, në rrethana normale kur nuk ka rrezik, jo në rrethana të tanishme, por i ruajmë derisa konsiderohet se është e dobishme edhe për të hyrat e doganës. Gjykata vendos për fatin final të produkteve”, u shpreh ai.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu gjatë intervistës për emisionin “Përballje”, foto: Korab Basha

Në intervistë, Llugaliu ka folur edhe për luftën kundër krimit të organizuar, teksa ka bërë të ditur se gjatë vitit 2021 kanë konfiskuar mbi 9 milionë euro mallra të kontrabanduara.

Drejtori i Doganave në këtë intervistë ka folur për sfidat dhe reformat që duhet të ndodhin në këtë institucion si dhe për planet që kanë./Telegrafi/

The post Ndalimi i prodhimit të kriptovalutave, drejtori i Doganës tregon rastet kur i konfiskojnë pajisjet dhe çfarë do të ndodhë me to appeared first on Telegrafi.