Ndërron jetë 10 orë pasi mori vaksinën kineze e moshuara nga Shqipëria

<!–

–>

E moshuara nga Shqipëria

Donika Babunja, 74 vjeç, ndërroi jetë mbrëmjen e së mërkurës, 10 orë pasi kishte bërë vaksinën kineze “Sinovaks”.

VIDEO:

Në orën 11:00 të paradites, ajo së bashku me bashkëshortin Kujtimin shkuan të merrnin dozën e parë në pallatin e kulturës së Beratit.

Në orën 16:00, Donika shfaqi shqetësime shëndetësore.

Bashkëshorti lajmëroi mjeken e familjes, Kamela Musa, për ti ardhur në ndihmë.E moshuara ankohej për dhimbje të barkut dhe kishte të vjella.

Mjekja i vendos një serum dhe i kërkon bashkëshortit ta kontaktojë për cdo shqetësim.Gjendja e saj filloi të rëndohej.

Ai sërish kërkoi ndihmën mjekes Musa dhe paralelisht, lajmëroi dhe urgjencën në numrin 127. Kur mbërritën në banesë, 74 vjeçarja kishte ndërruar jetë.

ABC u drejtua në qendrën shëndetësore të lagjes “17 Korriku” në Berat, për të mësuar më tepër detaje për ngjarjen.

Mjekja e familjes, e cila u përkujdes për të moshuarën, na tha se ajo vuante nga hipertensioni prej 16 vitesh e cila pasqyrohet kartelën mjekësore.Thotë se ishte e rregullt në marrjen e medikamenteve dhe se nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër.

“Vuante nga hipertensioni prej 2006, gati 15-16 vite, mjekohej në mënyrë të rregullt dhe ka qenë e stabilizuar nga tensioni. Vinin të dy bashkë me burrin për të marrë terapinë duke mos shfaqur asnjë problem” tha ajo.Mjekja sqaron se bashkëshorti nuk ka lejuar autopsinë e cila do të zbardhte shkakun e vdekjes. Thotë se i është referuar drejtorisë së spitalit.“Unë e gjeta pa frymëmarrje, pa puls. Duke qenë se e gjeta të vdekur ngula këmbë në mënyrë shumë me të shoqin që të dërgohej në morg për t’u përcaktuar diagnoza, pasi nuk vendosja dot diagnozë, por burri refuzoi në mënyrë kategorike autopsinë. U gjenda e detyruar ti merrja një deklaratë që refuzon autopsinë, pasi e kisha të pamundur ti gjeja një shkak” tha ajo.

E ndjera kishte shkuar të merrte vaksinën së bashku me bashkëshortin, pa rekomandimin e mjekut të familjes.

Kujtimi nuk shfaqi asnjë shqetësim, ndryshe nga Donika.

Çifti i të moshuarve jetonin të vetëm pasi fëmijët i kishin emigrantë.