Në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian votohet Raporti për Kosovën, vizat e dialogu dy tema qendrore

Lukas Mandl

Europarlamentari austriak, Lukas Mandl, ka njoftuar se në  Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian sot do të votohet Raporti për Kosovën, e ku sipas tij vizat dhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë janë dy temat qendrore.

“Sot do të votojmë në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, Raportin për Kosovën, që unë e kam negociuar të emër të Grupin EEP. Ne kemi përfshirë mesazhe të forta mbi liberalizimin e vizave, njohjen, dialogun Kosovë-Serbi dhe perspektivat për të rinjtë në dixhitalizimin dhe fusha të tjera”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.

VIDEO:

Çështja e liberalizimit të vizave është ndër kërkesat e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës karshi Bashkimit Evropian.

Kosova ka përmbushur shumicën e kritereve të vendosura nga BE’ja për të fituar liberalizimin e vizave.

Në ndërkohë çështja e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë ka mbetur pezull për shkak të zgjedhjeve që së fundmi janë mbajtur në Kosovë.

Deri në formimin e institucioneve pritet që të mos ketë një takim të radhës në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Të paktën kështu ka deklaruar së fundmi, përfaqësuesi i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai tha poashtu se nuk pret që gjatë këtij vitit të arrihet një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.