Në mars pati më shumë raste me COVID-19 se në janar e shkurt bashkë

IKSHPK

Me një mesatare prej 700 rastesh të reja në ditë, muaji mars del të jetë më i rëndi për Kosovën sa i përket COVID-19. Saktësisht 21 mijë e 708 raste të reja janë regjistruar për 31 ditët e këtij muaji, ndërsa betejën me virusin e kanë humbur 276 persona.

VIDEO:

Viti 2021 nisi me 51 mijë e 502 raste pozitive të regjistruara. Sot, 1 prill, Kosova ka arritur në 91 mijë e 405 raste. Për tre muajt e parë të vitit u regjistruan 39 mijë e 903 raste të reja me koronavirus, me muajin mars që për 31 ditë pati më shumë raste se në janar e shkurt bashkë. Në muajin janar ishin regjistruar 8998 raste të reja, ndërsa në shkurt 9197.

Shifra alarmante u regjistruan te rastet e vdekjes. Më 1 janar, Kosova kishte hyrë me 1336 raste të vdekjes si pasojë e COVID-19. Për tre muaj në Kosovë humbën jetën, si pasojë e virusit, 548 persona. Me 12 vdekjet e regjistruara të enjten, shifra e të vdekurve nga COVID-19 në Kosovë ka arritur në 1884. Në janar vdiqën 167 persona, në shkurt 105, ndërsa në mars 276.

Lëvizje të dukshme në tre muajt e parë të vitit ka pasur edhe tek rastet aktive. Teksa viti nisi me 8314 raste aktive me COVID-19, sot janë 13 mijë e 874.

Deri tash në nivel vendi janë kryer 430 mijë testime. Vetëm në tre muajt e parë të vitit janë bërë rreth 250 mijë.

Shtimi i rasteve të reja ka komplikuar punën edhe në klinikat dhe spitalet e Kosovës që janë mbushur përplot me pacientë. Në SHSKUK po trajtohen 900 pacientë, me mbi 700 prej tyre që janë nën asistim të oksigjenoterapisë.

Rritja e rasteve javëve të fundit, sipas ekspertëve shëndetësorë, i atribuohet tubimeve elektorale të partive në fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit. Asnjë nga partitë në garë nuk respektoi masat anti-COVID, duke tubuar shumë njerëz në hapësira të vogla pa mbajtur fare distancë.