Në tremujorin e parë janë realizuar mbi 134 milionë të hyra në ATK

Në tremujorin e parë të vitit 2021, Administrata Tatimore e Kosovës ka inkasuar 134.7 milionë euro të hyra.

Kështu ka bërë të ditur zyrtarja për informim në ATK, Valentina Bytyçi Sefa, sipas së cilës në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të hyrat kanë shënuar ngritje prej 16.2 milionë euro.

VIDEO:

“Totali i të hyrave të realizuara për këta tre muaj është 134.7 milionë euro që nëse e krahasojmë me vitin e kaluar ne kemi inkasuar 16.2 milionë euro më shumë si dhe nëse krahasojmë me planin të cilin e kemi pasur të dizajnuar për këta tre muaj nga të hyrat e inkasuara ne kemi arrit që të realizojmë 11.7 milionë euro më shumë se planifikimi” është shprehur ajo për EO.

Bytyçi-Sefa ka theksuar se viti 2021 është vit i rikthimit të normalitetit tatimor falë lehtësimit të masave nga Qeveria për bizneset.

Ajo ka pohuar se realizimi i të hyrave dhe projekteve është duke shkuar sipas planifikimeve, gjë kjo që garanton stabilitet edhe për periudhat e tjera të vitit 2021.

“Ky vit është një lloj rikthimi, normaliteti. Realizimi i të hyrave dhe i të gjitha projekteve është duke shkuar sipas planifikimeve, aktivitetet e bizneseve me rregull përveç disave që janë duke funksionuar por kanë orar të kufizuar”./Insajderi.com