Nesër nis mësimi alternativ për mbi 400 nxënës të Kamenicës, Kastrati: Sjellje tendencioze e ministres

Mësimi alternativ i përshpejtuar për 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës pritet të fillojë nga nesër më 5 maj, në bazë të vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, transmeton Insajderi.

Ky lloj mësimi do të organizohet për nxënësit e SHFMU “Hasan Prishtina” në fshatin Busavatë, SHFMU “Asllan Thaqi” në fshatin Karaçevë e Poshtme, SHFMU “Xhelal Sopi” në fshatin Petrocë, për nxënësit e Paraleles fizike në fshatin Shipashnicë e Poshtme si dhe, për nxënësit e paraleles fizike në fshatin Kopernicë.

Këtë vendim të ministres Arbërie Nagavci, kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati, po e quan “sjellje të papërgjegjshme dhe tendencioze” që të pengojë reformën e nisur në arsim.

VIDEO:

Kastrati shprehet i bindur se ky vendim ka prapavijë politike, por që thotë se do të organizojnë një mësimin alternativ për nxënësit që nuk e kanë vijuar mësimin.

“Është një sjellje e papërgjegjshme, është tendencioze që mundohet të pengojë reformën në Komunën e Kamenicës, në veçanti riorganizimin e rrjetit të shkollave. Në fund edhe përbrenda vendimit ajo nuk e ka saktësuar, as nuk ka të drejtë të saktësojë, se si bëhet organizimi, se ajo është kompetencë e Komunës, por një prirje për të ndërhyrë në kompetencën e Komunës. Sidoqoftë, ministrja (Arbërie Nagavci) i ka kompetencat e saj dhe unë e ftoj që të qëndrojë vetëm brenda kompetencave dhe mandatit të saj, nuk lejoj të ndërhyjë në kompetenca të Komunës”, thotë ai.

I pari i Kamenicës thotë se do të organizojnë një mësim të tillë për shkak se këta nxënës pothuajse e kanë humbur vitin.

“Mësimin plotësues, ne ishim të gatshëm me ministrinë ta organizojmë, vetëm se ne i përcaktuam cilat janë objektet shkollore funksionale dhe mësimdhënësit të organizojmë dhe koston shtesë ta mbulojë ministria. Sidoqoftë, deri tash nuk po duket që ka vullnet prej ministrisë për ta bërë një zgjidhje, por ne jemi të gatshëm dhe duhet sepse këta fëmijë pothuajse e kanë humbur vitin”, ka thënë Kastrati.

Kastrati, që kur mori mandatin e të parit të Kamenicës ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se është i bindur se një vendim i tillë nga ministrja Nagavci është për qëllime politike, e krejt kjo thotë se po bëhet për ta dëmtuar atë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

“Për hir të së vërtetës këtë çështje ka dashur ta fillojë vetë Arbërie Nagavci kur ka qenë drejtoreshë në Komunën e Prishtinës, por dikur është tërhequr se nuk e ka konsideruar se ja vlen me i hy një sfide të tillë, gjithashtu ka qenë edhe program gjatë fushatës. Kështu që po, unë mendoj që kjo e ka komplet një qëllim të caktuar ku i kanë synim zgjedhjet lokale dhe mundohen me problematizu dhe problemin me e mbajt aktual deri në zgjedhje”, thotë ai. /Insajderi.com