Nishani: Bashës do t’i sekuestrojmë pasuritë kur të vijmë në pushtet

Ish-Presidenti

Ish-Presidenti Bujar Nishani, pjesë e lëvizjes “Foltorja”, thotë kryedemokrati Lulzim Basha është duke përdorur siglën dhe emrin e PD-së, e për këtë do të akuzohet për falsifikim. I ftuar në Klan News Bujar Nishani deklaroi gjithashtu se sapo të vijnë në pushtet, Lulzim Bashës do t’i sekuestrohet çdo pasuri e paligjshme që ka krijuar gjatë 8 viteve në opozitë kur mori drejtimin e PD-së në vitin 2013.

VIDEO:

“Unë përfitoj nga rasti që t’ju them gjithë këtyre individëve me rekorde kriminale dhe Lulzim Bashës si kapo i tyre, të rikthejnë pak kujtesën se ç’ka ndodhur me individë të ngjashëm në periudhën 2005-2009 kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, i gjetëm nga “vrima e miut” të gjithë ata që kishin kryer veprime kriminale në të shkuarën dhe i sollëm me pranga në duar dhe në këmbë para drejtësisë.

Dhe këtyre po u them që nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet. Edhe Lulzim Basha nuk do t’i shpëtojë drejtësisë sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet. E garantoj Lulzim Bashën edhe të gjithë qytetarët që në ndjekin, se Lulzim Basha jo vetëm që do të vihet para drejtësisë për aktet e rënda kriminale dhe penale që ka kryer këto ditë, të falsifikimit që ka kryer përmes përdorimit të siglës, emrit të Partisë Demokratike, është një falsifikim i pastër, dhe njëkohësisht do të hetohet dhe do t’i sekuestrohet çdo pasuri e paligjshme që ka vendosur në këto 8 vite duke shfrytëzuar postin e kryetarit të Partisë Demokratike.

Këtë unë e garantoj ndoshta sot, është nga gjërat e vetme që mund t’ju garantoj që do ndodhi që në momentet dhe ditët e para të qeverisjes së Partisë Demokratike”, deklaroi Bujar Nishani.