Një grua shqiptare dhe i biri i saj zhduken në Gjermani, dyshohet se u kidnapuan

Ratingen

Një grua shqiptare në Gjermani dhe i biri i saj, trevjeçar, janë zhdukur që nga e enjtja paradite, me policinë gjermane që po dyshon se janë kidnapuar drejt Shqipërisë.

VIDEO:

Nasibe K. 34-vjeçare dhe Beni, i biri i saj, dyshohet se u kidnapuan me një Audi. Siç raporton “Bild”, për rastin dyshimet janë lidhur me ish-bashkëshortin e Nasibes, Blerimin.

Hetuesit kanë dyshuar se gjithçka ka ndodhur me plan të tij, dhe të enjten në mbrëmje ai u arrestua në Ratingen.

Një dëshmitar i ngjarjes ka thënë se teksa gruaja dhe i biri i saj po qëndronin në stacion të autobusëve, papritmas një veturë Audi është ndalur përpara dhe dy gra kanë dalë e i kanë tërhequr zvarrë.

Sipas burimeve të “Bildit”, Nasibja ishte larguar nga Blerimi nga Ratingeni drejt një qendre kujdesi në afërsi të Bonnit. Thuhet se ai tashmë e ka gjetur adresën e qendrës. Nën dyshimet se Blerimi ishte prapa kidnapimit, ai u arrestua të enjten, por për shkak se krimi ka qenë i pamundshëm të vërtetohet se është kryer nga ai, të premten është liruar nga Policia.

Megjithatë, ai është cak i hetimeve dhe policia ka thënë se ka nisur koordinimin ndërkombëtar për të gjetur nënën dhe të birin e saj.