Një herë Asociacioni, tash referendumi, Kurti e Borell përplasen publikisht për herë të dytë

Kurti-Borell

Çështja e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë ka shënuar edhe përplasjen e dytë të hapur në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit dhe shefit të politikës së BE-së dhe kryengociatorit, Josep Borell, pas përplasjes së hapur në dhjetorin e vitit të kaluar teksa kishin folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përplasja për punën e Asociacionit kishte filluar pas deklaratës së Borell në konferencën e përbashkët para gazetarëve, ku thoshte se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe se pret që marrëveshjet të respektohen dhe zbatohen plotësisht nga të dy palët.

VIDEO:

Pas kësaj deklarate, ishte kundërpërgjigjur kryeministri Albin Kurti duke thënë se marrëveshja për Asociacionin nuk është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe si e tillë s’mund të themelohet.

“Janë 33 marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia, por Beogradi gjithnjë e përmend vetëm një marrëveshje e cila nuk e ka kaluar sprovën në Gjykatën Kushtetuese. Mbaj mend se më 31 dhjetor të vitit 2015, kur Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin, asnjë serb në Kosovë nuk protestoi, vetëm Beogradi. Prandaj bisedimet duhet të kenë synim përfitimet e qytetarëve të të dyja vendeve”, kishte deklaruasr kryeministri Kurti në konferëncën e mbajtur më 8 dhjetor.

“Unë jam demokrat, prandaj besoj që kapitujt e ardhshëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet të jenë aty për të kënaqur një politikan, për t’i shpëtuar lëkurën atij apo fytyrën e një politikani tjetër, por për të ndihmuar dhe për t’u shërbyer qytetarëve. Kam frikë se ky Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe, është më shumë në shërbim të Beogradit sesa qytetarëve të varfër serbë të Kosovës, të cilëve unë u shërbej si kryeministër i republikës sonë”, kishte shtuar tutje kryeministri Kurti.

Pas kësaj s’kishte qëndruar pa reaguar as Borell, duke thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetutese të Republikës së Kosovës nuk e bën të pamundur themelimin e Asociacionit.

“Më duhet të them se unë jam demokrat po ashtu dhe nuk jam këtu t’i shërbej asnjë politikani të cilësdo palë. Nuk pajtohem me ju që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundur zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ajo u arrit nga përfaqësuesit e dy palëve, në mirëbesim dhe në pajtim me normat ndërkombëtare dhe në kuadër të bisedimeve. Më vjen keq kryeministër, por duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. E di se ka edhe marrëveshje të tjera, të cilat nuk janë zbatuar, por çështja e Asociacionit është shumë e rëndësishme”, ishte kundërpërgjigjur Josep Borrell.

Ndërkohë përplasja e dytë publike në mes të Kurtit dhe Borell vjen vetëm një muaj pas.

Kreu i Qeverisë së Kosovës s’është pajtuar që të organizohet referendumi i Serbisë edhe në Kosovë, derisa ka shtuar se serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë përmes postës apo edhe në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Kurti kishte theksuar dje se nuk është praktik e pranuar nga ndonjë vend demokratik organizimi i një referendumi të një shteti në territorin e pavarur të një shteti tjetër.

Por kryediplomati i Brukselit sot ka reaguar dhe ka përmendur se si në të kaluarën janë grumbulluar votat nga misioni i OSBE-së.

Sipas Borell, qytetarëve duhet t’iu jepet mundësia për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.