Një muaj arrest shtëpiak për U.D i Spitalit të Ferizajt, furnizoi disa herë me derivate veturën e tij private

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit Halit Gërbeshi.

Gërbeshi dyshohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri H.G. nga muaji shtator 2021 deri në muajin dhjetor 2021 në Ferizaj, në cilësinë e personit zyrtar – Ushtrues i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, në vazhdimësi dhe me dashje, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete.

VIDEO:

“Në atë mënyrë që në një pompë të derivateve në Ferizaj, disa herë ka furnizuar me derivate veturën e tij private, pa u pajisur me vendim nga ana e Bordit Drejtues dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëme materiale buxhetit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, largohet përkohësisht nga puna U.D i Spitalit të Ferizajt Dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, largohet përkohësisht nga puna U.D i Spitalit të Ferizajt

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Ndryshe, ditë më parë edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se është larguar nga puna përkohësisht U.D i Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, Halit Gërbeshi. /Telegrafi/

 

The post Një muaj arrest shtëpiak për U.D i Spitalit të Ferizajt, furnizoi disa herë me derivate veturën e tij private appeared first on Telegrafi.