Një muaj paraburgim për të dyshuarin që sulmoi me thikë policin në Suharekë

Gjykata e Suharekës i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale dhuna në familje dhe sulm ndaj personit zyrtar (policit).

Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren – Dega në Suharekë, thuhet se gjyqtari i procedurës – Qemail Suka, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 10.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 10.02.2022, ndaj të pandehurit B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale dhuna në familje nga neni 248 par. 1, dhe veprës penale sulmi ndaj personit zyrtar nga neni 402 par. 2 lidhur me par.1 dhe 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se  me datën 10 janar në orët e mëngjesit, në  Suharekë, saktësisht në shtëpinë e tij familjare, me dashje kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik dhe psikologjik apo emocional, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, ndaj të dëmtuarës respektivisht bashkëshortes së vëllait të tij, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake pasi që më parë i pandehuri e kishte keqtrajtuar fizikisht të dëmtuarën duke e goditur me grushte, ndërsa në momentin kur e dëmtuara ka qenë në shtëpi i pandehuri i drejtohet të dëmtuarës me fjalë si dhe e largon nga shtëpia, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe shqetësimit të madh.

VIDEO:

Ushtron dhunë në familje, sulmon me thikë zyrtarin policor – arrestohet i dyshuari në Suharekë Ushtron dhunë në familje, sulmon me thikë zyrtarin policor – arrestohet i dyshuari në Suharekë

Me datë të njëjtë të përshkruar si më lartë i pandehuri B.K., me dashje e sulmon personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, të dëmtuarin zyrtarin policor M.G., i cili kishte shkuar në kryerjen e detyrave zyrtare, kur zyrtarët policor kanë shkuar në vend ngjarje për tu marrë me rastin, takohen me të pandehurin, i pandehuri B.K., nuk ka qenë bashkëpunues me zyrtarët policor, në një moment i pandehuri  nga xhepi i ka nxjerrë një mjetë të rrezikshëm – thikë dhe me të njëjtën e sulmon fizikisht të dëmtuarin zyrtarin policor M.G., të cilit i shkakton edhe lëndime trupore në pjesën e kokës”, thuhet në vendim, transmeton Telegrafi.

Më tej thuhet se me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e veprave penale të cilat janë të natyrës së rëndë, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale, andaj ekziston edhe rreziku se nëse i pandehuri lihet në liri i njëjti mund të përsëris apo të kryej vepra tjera penale të kësaj natyre, sepse rasti  i dhunës, ka ndodhur në familjen në të cilët jetojnë në të njëjtën shtëpi i pandehuri dhe e dëmtuara, ndërsa zyrtarin policor e ka sulmuar me thikë.

“Nga arsyet e cekura më lart caktimi i masës së paraburgimit paraqitet si masë më e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për ta siguruar prezencën e pandehurit dhe zhvillimin e procesit normal të kësaj procedure penale, pasi që masat tjerat alternative janë të pamjaftueshme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Një muaj paraburgim për të dyshuarin që sulmoi me thikë policin në Suharekë appeared first on Telegrafi.