Njeriu i Vetëvendosjes emërohet anëtar në bordin e BQK-së

Bashkim Nurboja

Ish-kandidati kryetar të Pejës dhe më pas kandidat edhe për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Bashkim Nurboja është zgjedhur anëtar i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Nurboja ka qenë në mesin e pesë kandidatëve që garonin për një pozitë të anëtarit të bordit të BQK-së. Ai arriti të fitoi 51 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke lënë mbrapa katër kandidatët e tjerë që ishin në garë për një vend në bordin e BQK-së.

“Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë, të pavlefshme kanë qenë 5 fletëvotime. Bashkim Nurboja ka fituar 51 vota, Bedri Peci 12 vota, But Dedaj 11 vota, Kosovare Ukshini 2 vota, Mimoza Mustafa 5 vota. Komisioni ka konstatuar se kandidati Bashkim Nurboja ka fituar votat e mjaftueshme”, ka konstatuar deputeti Salih Zyba nga LVV-ja nga komisioni ad-hoc.

VIDEO:

Bashkim Nurboja, ka qenë kandidati i LVV-së për kryetar të Pejës në vitin 2017 dhe kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2019 duke marrë 2 mijë e 431 vota.

Nurboja ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal në Qeverinë Kurti I, në periudhën prill-qershor të vitit 2020.

Bashkim Nurboja, aktualisht profesor në UBT, ndërsa ka kryer doktoratën në Universitetin e Lubjanës në Fakultetin Ekonomik. Ai ka punuar si profesor në Kolegjin Universum dhe u.d. prorektor për financa në Universitetin ‘Haxhi Zeka’; si asistent në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në UP.

Dy konkurse janë shpallur për të plotësuar tri vende të lira në bordin e Bankës Qendrore të Kosovës. Në konkursin e parë është kërkuar vetëm një anëtar i bordit dhe për atë pozitë është zgjedh Nurboja.

Kurse, në konkursin e dytë janë kërkuar dy anëtarë të bordit. Njëri prej kandidatëve është zgjedh në votimin e parë të realizuar në Kuvend.

Anëtare e bordit është zgjedh, Nora Latifi Jasharin, e cila mori 45 vota të deputetëve. Nora Latifi Jashari, e cila ka konkurruar për anëtare të bordit të BQK-së është drejtoreshë ekzekutive e Institutit GAP që nga viti 2016, ndërsa para kësaj pozite ka qenë drejtoreshë e financave dhe menaxhere e projekteve në këtë Institut.

Nora Latifi Jashari, është master i arteve ndërsa ka punuar edhe si analiste e kredive për biznes në ProCredit Bank.

Për vendin e tretë për bordin e BQK-së deputetet pritet serish të votojnë në vazhdimin e seancës parlamentare, e në garë janë tre kandidatë: dy që kanë marrë pikë të barabarta, nga 15 vota, që do të garojnë në mes veti për të përcaktuar fituesin i cili duhet të garoj me kandidatin Nuri Ahmeti që ka marrë 18 vota, shkruan Kallxo.com.

“Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë. Nora Latifi-Jashari kalon, ka marrë 45 vota ndërsa për Driton Balaj dhe Imrie Zeqiri votohet vetëm për këta dy dhe pastaj votohet sërish me njërin prej tyre që merr më së shumti vota, në garë me kandidatin Nuhi Ahmeti. Behgjet Brajshori 11 vota, Driton Balaj 15 vota, Edona Uka 10 vota, Imri Zeqiri 15 vota, Nuri Ahmeti 18 vota, Petrit Gashi 8. Të pavlefshme janë 7 fletëvotime”, konstatoi dje gjatë seancës deputetja Valentina Bunjaku nga LDK-ja, pjesë e komisionit përzgjedhës.

Banka Qendrore e Kosovës që nga maj i vitit 2020 ka mbetur me bord të pakompletuar.

Mungesa e këtij bordi ishte konsideruar si krizë edhe nga Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmti.