Njihuni me robotët bio-mjekësor të cilët u vijnë në ndihmë sistemit spitalor

A do t’i besonit jetën tuaj një kirurgu robotik? Po për shëndetin tuaj mendor?

 

Ermand Mertenika
Inxhinier Bio-Mjekësor

Ndërsa disa mund të jenë të pakëndshëm me idenë e një roboti që kryen operacionin e tyre ose i ngushëllon ata në kohë stresi, ajo po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në botën e zhvilluar të kujdesit shëndetësor, ku interesi për /dhe financimin e robotëve mjekësorë brenda fushës së inxhinierisë bio-mjekësore është duke u ngritur për shkak të saktësisë dhe precizitetit të tyre.

Ka arsye të mira që inxhinierët bio-mjekësor po zhvillojnë robotë për t’u përdorur në sistemin mjekësor. Ndryshe nga qeniet njerëzore, robotët janë të palodhshëm dhe “duart” e tyre nuk dridhen kurrë. Ata mund të kryejnë lëvizje të sakta edhe përtej kufirit të lëvizjes njerëzore dhe të jenë të pranishëm me pacientët për aq kohë sa është e nevojshme.

Robotët mjekësor janë precizë dhe nuk gabojnë.

VIDEO:

Njihuni me 5 robotë bio-mjekësor të zhvilluar kohët e fundit që aktualisht janë aplikuar në vendet e zhvilluara, në spitalet dhe qendra të trajtimit për të përmirësuar cilësinë e kirurgjisë dhe të kujdesit ndaj pacientit.

1. Roboti kirurgjikal “da Vinci”

Është e paimagjinueshme, por e vërtetë: Më shumë se 350,000 njerëz vdesin në Shtetet e Bashkuara çdo vit dhe gjithashtu numri i të vdekurve në nivel global është shumë i lartë nga gabimet dhe operacionet jo të sakta kirurgjikale, disa prej të cilave mund të parandalohen. Sistemi kirurgjikal “da Vinci”, një sistem robotik i fuqishëm i cili po përdoret për të zvogëluar gabimet kirurgjikale dhe për të evituar dështimet gjatë operacionit, krahas precizitetit dhe saktësisë së lartë, bën të mundur që dhe operacioni të jetë sa më pak invaziv për mijëra pacientë.

Ky sistem kirurgjikal, u jep kirurgëve kontroll më të saktë për një sërë procedurash. Duke përdorur teknologjinë vizive 3D me kualitet të lartë dhe softuerin i cili zëvendëson kyçet dhe duart e një kirurgu, sistemi da Vinci bën prerje të vogla, shumë të sakta që duart e mjekut nuk mund të jenë në gjendje të bëjnë.

Meqenëse sistemi robotik Bio-mjekësor da-Vinci bën prerje apo incizione të vogla, kjo bën të mundur që koha e rehabilitimit (rikuperimit) të pacientit të jetë shumë e vogël dhe ai, shumë shpejt mund t’i kthehet jetës normale.

Inxhinieria Bio-mjekësore është piedestali i shkencës mjekësore dhe vazhdimisht në vendet e zhvilluara bëhen kërkime shkencore për të përmirësuar gjithnjë e më tepër cilësinë e kirurgëve dhe fokusin ndaj pacienteve dhe gjithashtu për të diagnostikuar me një saktësi shumë të lartë sëmundjet e rënda si kardiovaskulare, zëvendësimin e valvulave kardiake (të zemrës), kancerin dhe disa kirurgji të tjera të ndërlikuara.

2. Roboti Xenex Germ-Zapping (Roboti i dezinfektimit maksimal)

Një tjetër kërcënim për jetën janë dhe infeksionet në spital. Ky është një tjetër problem në kujdesin shëndetësor që mund të përmirësohet me robotët. Sistemi robotik i automatizuar “Germ Zapping” kryen procesin maksimal të dezinfektimit të dhomave dhe kjo realizohet për të evituar viruset apo bakteret, të cilat ndikojnë mjaft negativisht tek pacienti post-kirurgjikal (pacienti i cili sapo ka dalur nga operacioni).

Ky sistem automatik dezinfekton dhomat e pacienteve të të gjithë spitalit në pak minuta duke përdorur një teknologji që pulson rrezet ultraviolete (UV) me një spektër të gjerë, e cila shkatërron një sërë bakteresh mjaft të dëmshme dhe duke eliminuar edhe mikro-organizma të cilët mund të përkeqësojnë gjendjen e pacientit astmatik dhe alergjik.

3. CyberKnife

Është një sistem kirurgjik robotik që sjell terapi rrezatimi tek tumoret me precizitet nën 1 milimetër. Ky sistem i shpikur në vitet 1990, tani po përdoret për të trajtuar kancerin e vështirë në spitalet dhe qendrat e trajtimit në vendet e zhvilluara, kryesisht në ShBA, Kanada, Evropën perëndimore, ndërsa në Ballkan e posedon vetëm Turqia dhe Greqia.

“Thika Kibernetike” CyberKnife nuk është një thikë në vetvete, por një sistem i cili gjeneron në mënyrë shumë të saktë një burim rrezatimi të montuar në një krah roboti i cili gjeneron një rreze shumë precize të radioterapisë që manovron dhe përshtatet shpejt.

Sistemi robotik i diagnostikimit te tumoreve dërgon rrezatim të fortë në masën tumorale e cila mund të jetë (malinje ose beninje), duke u pozicionuar vetvetiu në shumë kënde të ndryshme për të shënjestruar tumorin nga të gjitha anët pa pasur nevojë të ripozicionojë pacientin.

CyberKnife trajton të gjithë masat tumorale në zonat e ndryshme trupit, disa prej te cilave janë mjaft komplekse të realizohen në mënyrë invazive të hapur me kirurgji. Ky sistem përdoret tek pacientet të cilët kanë masat tumorale ose kancerogjene në zona të vështira, si në mushkëri (ku ndërhyrja është me bisturi është shumë e vështirë), në zemër, në heqjen e masave në zona shumë të vështira të trurit (celebralit), në kancerin e prostatës, kancerin e mëlçisë, etj.

Kjo pajisje ka një precizitet shumë të lartë dhe eviton kirurgjinë invazive me bisturi.

4. Sistemi robotik fantastik TUG

Një tjetër pajisje robotike mjaft interesante është shpërndarja e vakteve të ushqimit në spitale në mënyrë automatike. Kjo u vjen në ndihmë infermierëve që të fokusohen më tepër në trajtime më të rëndësishme sesa shpërndarja e vakteve të pacientëve. Ky sistem ka një server qendror ku është instaluar një softuer dhe është i programuar që të shpërndajë vaktet në orën specifike sipas lokacionit të dhomave në pavijon.

Sot, Institutet kërkimore bio-shkencore dhe Inxhinieria Bio-mjekësore në vendet e zhvilluara, po punojnë për të gjetur zgjidhje sa më të përparuara në sistemet shëndetësore spitalore për t’u ardhur në ndihme stafit mjekësor dhe kualitetit të jetës së pacientëve. /Telegrafi/

The post Njihuni me robotët bio-mjekësor të cilët u vijnë në ndihmë sistemit spitalor appeared first on Telegrafi.