Nxënësitë e Prishtinës të interesuar për t’u vaksinuar kundër COVID-19

<!–

–>

Interesim i madh i nxënësve në Prishtinë për t’u vaksinuar kundër COVID-19.

VIDEO:

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se interesimi i nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, për t’u vaksinuar kundër COVID-19, ka qenë i madh sot, raporton Gazeta Express.

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka nisur sot vaksinimi përmes ekipeve mobile në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ku të pranishëm ishin edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha – Bunjaku dhe sekretari i përgjithshëm i MSh-së, Naim Bardiqi.

“Shkolla është vendi ku çdo i ri takohet me dijen dhe me shkencën. U bëj thirrje gjithë nxënësve të shkollave të përfitojnë nga ekipet tona e të vaksinohen, sepse nxënësit janë e ardhmja e shoqërisë”, tha sot zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku.

Me këtë rast, zëvendësministrja Gexha Bunjaku dhe Sekretari Bardiqi, në cilësinë edhe të prindërve, përcollën nga afër edhe vaksinimin e fëmijëve të tyre.

Zëvendësministrja Gexha-Bunjaku dhe Sekretari Bardiqi, sipas MSH’së thanë se përmes shembullit personal duan t’i sigurojnë dhe inkurajojnë prindërit për vaksinimin e fëmijëve të tyre si rrugën më të mirë për t’i mbrojtur ata dhe për të siguruar mbajtjen e shkollave hapur.

“Shkolla është vendi ku çdo i ri takohet me dijen dhe me shkencën. Një nga zbulimet më të rëndësishme shkencore në dy shekujt e fundit ka qenë vaksina. Pa vaksina, shumë sëmundje nuk do të kaloheshin kaq lehtë sot. Edhe gripi dikur ka qenë një pandemi vdekjeprurëse në gjithë botën, të cilën njerëzimi e mposhti vetëm përmes vaksinave, dhe sot gripi konsiderohet ndër sëmundjet e lehta e të zakonshme”, tha Ministrja Gexha.

Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës e Ministria e Shëndetësisë kanë siguruar vaksinat më cilësore në tregun botëror, pa pagesë, derisa u shpreh se tashmë këto vaksina administrohen pa termin, kudo, pavarësisht vendbanimit apo shtetësisë.

Zëvendësministrja Gexha u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen për ta fituar betejën kundër COVID-19.

“U bëj thirrje gjithë nxënësve të shkollave të përfitojnë nga ekipet tona e të vaksinohen, sepse nxënësit janë e ardhmja e shoqërisë. Rastësi, në këtë shkollë ndjekë mësimet edhe bija ime e madhe, e cila u vaksinua sot bashkë me shoqet e shokët e saj. Me këtë rast shpreh një falënderim e mirënjohje për administratën e shkollës për organizimin dhe profesionistët shëndetësor që janë në krye të detyrës”, tha Zëvendësministrja Gexha.

“Procesi i vaksinimit me ekipe mobile në shkolla do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, ndërkohë që u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve të moshës mbi 12 vjeçe që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e krijuara për t’u vaksinuar kundër COVID-19, duke qenë që nuk kanë nevojë për terminë, dhe mund të vaksinohen kudo në Kosovë”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.