Oda e Mjekëve dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë thonë se nuk po informohen nga MSH-ja për procesin e vaksinimit

Vaksinimi

Derisa ka filluar vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë kundër virusit COVID-19, nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës thonë se nuk janë informuar nga Ministria e Shëndetësisë për procesin e vaksinimit. Për këtë, nga Oda e Mjekëve thonë se punëtorët shëndetësorë u janë drejtuar atyre për shkak të disa paqartësive që kanë pasur lidhur me vaksinimin.

As Oda e Mjekëve të Kosovës e as Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, nuk janë informuar për procesin e vaksinimit të punëtorëve shëndetësorë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kështu së paku thonë udhëheqës të tyre, të cilët deklarojnë se nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë qenë të informuar as gjatë procesit të përpilimit të strategjisë për vaksinim, e as tani kur ka filluar vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë.

VIDEO:

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka thënë për Express se dje kanë pasur shumë pyetje nga punëtorët shëndetësorë në lidhje me procesin e vaksinimit, pasi që sipas tij, disa nga punëtorët shëndetësorë nuk e kanë pasur të qartë se as kush i ka bërë listat për vaksinim.

Sejdiu ka thënë se ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i ka pasur kontaktet e shkëputura me ta, dhe se tani as ministri Arben Vitia nuk u është drejtuar për këtë proces.

“Ne zyrtarisht nuk kemi qenë të informuar as tani as gjatë procesit të përpilimit të strategjisë dhe faktikisht jemi jashtë çdo organizimi. Ne kemi pasur shumë pyetje prej kolegëve tonë rreth mënyrës së organizimit, e listave, sepse shumë e kanë të paqartë se cilat institucione i kanë bërë listat dhe se ata duhet të presin që t’i thërrasin. Ne nuk kemi një përgjigje se pse është bërë kjo. Ish-ministri i ka pasur të gjitha kontaktet të shkëputura me Odën, ministrit tani nuk i kemi kërkuar dhe nuk as ata nuk na janë drejtuar”, ka deklaruar ai.

Përkundër që thotë se nuk i kanë informuar për këtë proces, Sejdiu ka treguar se si Odë janë duke e monitoruar procesin e vaksinimit, në rast se bëhet ndonjë diskriminim.

Ndërsa, edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, është shprehur se përkundër që i ka ofruar bashkëpunim ministri të Shëndetësisë, ai nuk është kontaktuar ende nga ai.

Syla ka thënë se të premten ka pasur një takim me ministrin Vitia, ku e ka informuar për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë në Shqipëri, por që nuk ka pasur bashkëpunim mes tyre në lidhje me vaksinimin që po bëhet në vend.

“Edhe pse të premten unë kam qenë korrekt dhe jam takuar me ministrin Vitia, një ditë para se të përfundohet procesi i vaksinimit në Kukës, i kam treguar do të përfundoj procesi. I kam ofruar bashkëpunim mirëpo nuk jemi kontaktuar. Unë i kam lutur që procesin në Shqipëri ta marrin në dorë ata. Nga ajo ditë unë nuk kam marrë asnjë përgjigje. Nuk kemi më asnjë kontakt. Unë në këto momente jam përgjegjës vetëm për 500 dozat të cilat i kam siguruar vet në Tiranë, për tjerat nuk jam përgjegjës, për dozat tjera nuk e di”, ka shtuar ai.

Ndërsa, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se me ligjet në fuqi për sektorin e shëndetësisë, institucion përgjegjës për vaksinimin në Kosovë është Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ndërsa Planin e miraton Ministria e Shëndetësisë.

Nga kjo ministri kanë thënë se Plani i vaksinimit ka qenë i publikuar në faqe të ministrisë në mënyrë që të informohet kushdo për këtë proces.

“Të gjithë janë të informuar për procesin e vaksinimit që është mjaft aktual, ndërsa Plani i vaksinimit ka qenë i publikuar në webfaqe të MSH-së që të informohet i gjithë publiku dhe kushdo që ka qenë i interesuar që nga data 19 shkurt 2021”, është thënë nga kjo ministri.

Kujtojmë që të dielën Kosova është furnizuar me 24 mijë doza të vaksinës Anti-COVID nga COVAX, me të cilat do të vaksinohen 24 mijë persona.

Ditën është bërë vaksinimi i një pjese të punëtorëve shëndetësorë dhe personave të moshuar mbi 80 vjeç, ndërsa vaksinimi do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.