Opozita kritikon kontratën e Komunës së Prizrenit për trajtimin e qenve endacakë

opozita

Kontrata kornizë e Komunës së Prizrenit për trajtimin e qenve endacakë po kritikohet nga subjektet opozitare. Përfaqësues të këtyre partive po konsiderojnë se çmimi i paraparë në kontratë për trajtimin e qenve endacakë është shumë i lartë. Madje sipas tyre ky çmim është dyfish më i shtrenjtë në krahasim më kontratën paraprake për këtë shërbim. Ndërkaq autoritetet komunale kanë pohuar se kanë përzgjedhur ofertuesin me çmimin më të lirë dhe se shtrenjtimi për shërbimin e trajtimit të qenve endacakë ka ndodhur për shkak të ndryshimit të aktit nënligjor, që sipas tyre, parasheh kritere më të rrepta për trajtimin adekuat të qenve endacakë.

Kuvendari nga radhët e AAK-së, Ilir Baldedaj ka shprehur qëndrimin se gjatë kësaj qeverisjeje janë krijuar standarde të dyfishta në kontratat publike të Komunës së Prizrenit, që shkelin mbi parimet e qeverisjes së mirë me paranë publike.

“Skandali i radhës, në periudhën e pandemisë kur Prizreni përballet me shumë telashe, është keqpërdorimi i parasë publike të mbledhur nga tatimpaguesit, ku qeveria komunale e Prizrenit pa mëshirë e dyfishon çmimin e shërbimit në kontratën për trajtimin e qenve endacakë, nga 34.30 euro për trajtimin e një qeni në kontratën 2019-2021, në 76.50 euro për trajtimin e një qeni në kontratën për periudhën 2021-2024”, ka thënë Baldedaj.

VIDEO:

tij, ndonëse mjetet nga buxheti komunal shpenzohen për këtë qëllim, në anën tjetër nuk ka rezultate efektive sa i përket eliminimit të rrezikut nga qentë endacakë për qytetarët e komunës së Prizrenit.

Ndërsa kryetari i degës së PDK-së, Shaqir Totaj, ka vlerësuar se kontrata e fundit për trajtimin e qenve endacakë në komunën e Prizrenit, është “tregues i keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të parasë publike nga ana e VV-së dhe Haskukës në Prizren”.

Sipas tij, është e papranueshme qasja që në kohë pandemie të dyfishohet çmimi i shërbimit për trajtimin e qenve endacakë siç ka ndodhur në prokurimin e Komunës së Prizrenit, ku nga 34,30 euro ku çmim ka shkuar në 76,50 euro.

“Kemi ngritje të çmimit për më shumë se 100 qind për qind”, është shprehur Totaj.

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, duke u përgjigjur në këto kritika ka theksuar se Komuna nuk i ka vënë këto çmime, por se ato janë vënë nga operatorët ekonomikë që ofertojnë dhe se zakonisht çmimi më i lirë shpallet fitues. Tutje ai ka pohuar se në ngritjen e çmimit për trajtimin e qenve endacakë ka ndikuar edhe ndryshimi i aktit nënligjor, por pa e precizuar udhëzimin administrativ përkatës.

“Më herët, trajtimi i qenve endacakë është bërë me udhëzimin administrativ të vitit 2018, ku nuk ka pas shumë kritere se çka duhet të ketë kompania për me bë trajtimin dhe çfarë trajtimi duhet të bëhet. Në vitin 2021 ka hyrë në fuqi udhëzimi i ri administrativ që ka kritere shumë më të rënda, ku kërkohet nga kompanitë trajtim shumë më adekuat i qenve endacakë. Por edhe strehimorja duhet të ketë standarde më të larta se që i kanë pas më herët”, ka deklaruar Haskuka në emisionin 038 të KTV-së.

Ai ka shtuar se në këtë aktivitet të prokurimit kanë qenë 3 ose 4 oferta dhe se është përzgjedhur ofertuesi më çmimin më të lirë.

Raporti i publikuar në nëntor të vitit të shkuar nga Avokati i Popullit në lidhje me rrezikun që u kanoset qytetarëve nga qentë endacakë, pati konstatuar se lidhur me këtë çështje ka pasur shkelje të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, përkatësisht të të drejtave të fëmijëve, pasi institucionet përkatëse nuk i kanë përmbushur detyrimet kushtetuese, ligjore e as standardet ndërkombëtare në këtë aspekt.

“Avokati i Popullit vëren se përkundër përpjekjeve të disa komunave për t’u përballur me çështjen e trajtimit të qenve endacakë, gjendja nuk ka ndryshuar shumë për shkak të mungesës së një plani kombëtar dhe të moskoordinimit ndërkomunal dhe ndërinstitucional që do ta adresonte atë”, thuhej në raport, bashkë me vlerësimin se mungesa e strehimit për qentë endacakë është problem serioz në nivel vendi dhe se komunat nuk kanë qendra për trajtim të përkohshëm të kafshëve.

Haskuka ka bërë të ditur se Komuna e Prizrenit merret me trajtimin e qenve endacakë, por sipas tij kompetenca kryesore i takon AUV-it.

“Problemi i qenve endacakë s’mund të trajtohet vetëm prej një komune por duhet të trajtohet nga Qeveria përkatësisht AUV-i”, është shprehur ai.

Çështja e pranisë së qenve endacakë vazhdimisht është adresuar si shqetësim nga qytetarët e lokaliteteve të ndryshme. Brenga në fjalë është komunikuar drejtpërdrejtë apo përmes platformave të komunikimit me Komunën, me ç’rast është kërkuar që të merren masa për evitimin e rrezikut, sidomos për nxënësit e ciklit të ulët shkollor.