Opozita s’do shtyrje të zgjedhjeve, pozita po pret Presidenten

Partitë politike opozitare edhe njëherë kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat pritet të mbahen më 17 tetor.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, deklaroi të hënën se partia e tij është kategorikisht kundër që zgjedhjet lokale të shtyhen për një datë tjetër.

Sipas këtij subjekti politik, mund të anulohet fushata, por jo edhe zgjedhjet.

“LDK-ja do të marrë një qëndrim dhe do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani. LDK-ja mendon se zgjedhjet duhet të mbahen dhe jo të shtyhen. Mund të anulohet fushata, por jo zgjedhjet”, u shpreh Gashi para mediave.

VIDEO:

Të një mendimi janë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë. Shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se kërkesa për shtyrje të zgjedhjeve “bie ndesh me praktikat kushtetuese”.

“Për shtyrje të zgjedhjeve, kjo kërkesë është e palogjikshme dhe është antikushtetuese. Ndërlidhja me Podujevën është e pagabueshme sepse atje ka ekzistuar një nënkryetar dhe asambleja komunale. Siç dihet ka një drojë nga Qeveria”, pohoi Tahiri.

Ndërsa, nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se një kërkesë të tillë akoma s’e kanë pranuar.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi pas mbledhjes së janë të gatshëm të diskutojnë me partitë e tjera dhe presidenten Osmani për shkurtim të fushatës, ndërsa nëse parashtrohet kërkesa për shtyrje të zgjedhjeve, tha se do ta shqyrtojnë.

“PDK-së nuk i është dërguar asnjë kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve. Ne jemi të gatshëm të ulemi e të diskutojmë për shkurtim të fushatës në mënyrë që të parandalohet rritja e rasteve me COVID-19. Në takim me presidenten Osmani sigurisht do të marrim pjesë, dhe nëse pranojmë një kërkesë të tillë për shtyje të zgjedhjeve, atëherë do ta shqyrtojmë”, pohoi Tahiri.

Ndërkohë, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thonë se secili vendim që merret do të jetë në dakordim me subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se partia e saj nuk insiston në një variant apo tjetër, përveç në një vendim të përbashkët në pajtueshmëri me të gjitha partitë tjera politike.

Ndërsa, theksoi se “është e rëndësishme që të merret parasysh rekomandimi i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”.

“Qëndrimi ynë është që të jetë një vendim i koordinuar me të gjitha partitë politike. Është e rëndësishme që të kemi parasysh rekomandimin e Institut Kombëtar të Shëndetit Publik”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar për të hënën në një takim konsultativ të gjitha partitë politike për të diskutuar rreth procesit zgjedhor dhe ndikimin e këtij procesi në situatën epidemiologjike.

Sipas letrës të cilën Osmani u ka dërguar partive politike thuhet se “ky takim do të mbahet për të diskutuar opinionin dhe rekomandimet e Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në situatën epidemiologjike”.

Takimi i presidentes Osmani me përfaqësues të partive politike, vjen pas letrës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka rekomanduar mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Sipas letrës së IKSHPK-së, mbajtja e zgjedhjeve do të ndikonte në rritjen e rasteve me coronavirus e për pasojë do të rriste edhe rrezikun e rritjes së rasteve të vdekjeve./Insajderi.com