Organizohet drekë për festën e Bajramit, i ftuar edhe ambasadori Kosnett

Xhamia e Lagjes së Spitalit në Prishtinë ka organizuar një drekë me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku të ftuar do të jenë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, Kryeparlamentari Glauk Konjufca, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, transmeton Insajderi.

Imami i kësaj xhamie, Labinot Maliqi, tha se kjo drekë ka për qëllim motivimin për të qenë shoqëri e bashkuar.

VIDEO:

“Është një drekë ndërfetare për Kurban Bajram që do të shtrohet sot pasdite në xhaminë tonë, është një drekë e parë e këtij niveli, e këtij lloji e karakteri dhe duhet të shërbejë që përveçse ta ushqejë vlerën e diversitetit që kemi të trashëguar nga paraardhësit, të inspirojë dhe motivojë gjithë spektrin politik shoqëror në përgjithësi që të jemi më të bashkuar se kurrë me njëri-tjetrin”, tha Imami në ‘Klan Kosova’.

Ai shtoi se të gjithë të ftuarit, përfshirë edhe ambasadorin Kosnett e kanë mirëpritur këtë ftesë.

“Në momentin e parë që e kanë lexuar ftesën tonë, është konfirmuar ajo, ne jemi të kënaqur, do t’i mirëpresim dhe do të jetë privilegj edhe për ne, për xhaminë tonë dhe me respektin më të madh do t’i mirëpresim të gjithë këta mysafir”, u shpreh Maliqi. /Insajderi.com