Osmani: Agjencia për Privatësi do të ketë përkrahjen e institucioneve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të hënën se Agjencia për Informim dhe Privatësi do ta ketë përkrahjen e institucioneve të vendit.

Osmani këtë e bëri të ditur në takim me komisioneren për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojevën.

VIDEO:

Në takim presidentja theksoi se Agjencia për Informim dhe Privatësi, në krye të së cilës është zgjedhur pak kohë më parë Sogojeva, është institucion i rëndësishëm shtetëror, “i cili e mbron të drejtën e pakontestueshme të qytetarëve të vendit për privatësi”.

“Si e tillë, kjo agjenci do ta ketë përkrahjen e institucioneve të Kosovës, në mënyrë që të sigurohemi se ajo do ta kryejë punën në përputhje me ligjin dhe me mandatin që e ka, që qytetarët e vendit të përfitojnë nga puna  e saj”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në anën tjetër, Sogojeva, siç bëhet e ditur në njoftim, e falënderoi presidenten Osmani për pritjen dhe e siguroi atë se do të bëjë gjithë ç‘është në dorën e saj që ta fuqizojë rolin e agjencisë, në mënyrë që agjencia të sigurojë mbrojtje të plotë të privatësisë së qytetarëve./Insajderi.com