Osmani i përgjigjet Dimitrovit: Qëndrimet e mia janë në përputhje me interesat shtetërore

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të zv.kryeministrit Nikolla Dimitrov, i cili tha se “Osmani kërkon me çdo kusht zgjidhje me Bullgarinë”.

Osmani në një postim në Facebook, shkruan se qëndrimet e tij në raport me kontestin me Bullgarinë, gjithmonë kanë qenë në përputhje me interesat shtetërore të Maqedonisë.

VIDEO:

Dimitrov: Nuk kam besim te ministri Bujar Osmani Dimitrov: Nuk kam besim te ministri Bujar Osmani

Më poshtë e keni reagimin e plotë të ministrit Osmani:

Në interes të informimit të drejtë të opinionit, më lejoni t’ju informoj për mënyrën se si zhvillohen bisedimet për tejkalimin e çështjeve të hapura me Republikën e Bullgarisë, si në kuadër të dy Ministrive të Punëve të Jashtme ashtu edhe në kuadër të Qeverisë dhe udhëheqësisë shtetërore. Negociatat në nivel teknik i udhëhiqen grupet e punës, ku marrin pjesë diplomatë me përvojë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ata i raportojnë Ministrit të Jashtëm, por njëkohësisht veprojnë në përputhje me njohuritë dhe përvojën e fituar në punën e tyre dhjetëvjeçare në MPJ, duke i përfaqësuar sigurisht interesat strategjike shtetërore të përcaktuara nga Qeveria dhe i gjithë lidershipi shtetëror. Në të njëjtin drejtim, për çështjet e rëndësishme strategjike në Qeveri, gjithmonë formohet Grup pune – organi më i lartë politik të cilën në parim e udhëheq Kryeministri dhe në të cilin vazhdimisht përsëriten dhe precizohen interesat shtetërore të vendit, të cilat Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme i përfaqëson gjatë bisedave me kolegë. Kjo nuk i referohet vetëm bisedimeve aktuale për tejkalimin e çështjeve të hapura me Republikën e Bullgarisë, por edhe praktikës së vendosur që u zbatua edhe në krijimin e Marrëveshjes së Prespës – suksesi i së cilës ka një meritë kolektive: që nga diplomatët në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Grupit i punës në Qeveri e deri tek Kryeministri aktual, gjë që është konfirmuar vazhdimisht nga pothuajse të gjithë miqtë ndërkombëtarë të vendit. Për fund, edhe qëndrimet e mia personale, si Ministër i Punëve të Jashtme dhe si njeri absolutisht përputhen me pozicionet shtetërore që ne si Qeveri i përfaqësojmë në mënyrë aktive: edhe kur bashkërisht i ndërtuam interesat shtetërore gjatë krijimit të Marrëveshjes së Prespës; dhe kur bashkërisht e krijuam Marrëveshjen për Miqësi me Bullgarinë; e edhe tani, kur flasim sërish për tejkalimin e dallimeve me fqinjët tanë.
Të nderuar qytetarë, kolegë dhe miq,
Jemi përpara formimit të një momenti të ri politik, të krijuar përmes mandateve të reja të Qeverive në të dyja vendet. Qytetarët presin që ne ta shfrytëzojmë këtë iniciativë të re politike për ta forcuar besimin mes dy Qeverive dhe mes dy vendeve. Për këtë unë personalisht por edhe Ministria e Punëve të Jashtme jemi në komunikim të vazhdueshëm me Grupin e punës në Qeveri, me Kryeministrin aktual, ndërkaq po konsultohemi edhe me mandatarin e ri, i cili presim që ta marrë detyrën së shpejti. Rezultati i këtij aktiviteti është vizita tashmë e dakorduar e delegacionit të lartë qeveritar të kryesuar nga Kryeministri, Petkov në Shkup më 18 janar, ndërsa në komunikim të vazhdueshëm me homologët tanë nga Bullgaria tashmë po punojmë për arritjen e marrëveshjes për mbajtjen e një seance të përbashkët të të dy Qeverive vetëm një javë më vonë, ose më 25 janar. Nga suksesi i këtyre takimeve do të varet edhe drejtimi i momentumit të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, prandaj të gjitha aktivitetet të cilat e rrezikojnë këtë sukses i konsideroj si joproduktive dhe jo-fer. Iu bëj thirrje publikisht të gjithë kolegëve, aktualë dhe të mëparshëm, që të tregojnë virtyt dhe trajtim të drejtë (fer) ndaj njëri-tjetrit, ta ruajnë nivelin dhe besimin që e kemi ndërtuar prej shumë vitesh me njëri-tjetrin dhe t’ua sigurojnë të ardhmen evropiane qytetarëve, të cilën për një kohë të gjatë vetëm ua premtojmë.

The post Osmani i përgjigjet Dimitrovit: Qëndrimet e mia janë në përputhje me interesat shtetërore appeared first on Telegrafi.