Osmani për Atlantic Council: Njohja reciproke, qëllimi i vetëm për të cilin Kosova merr pjesë në dialogun me Serbinë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë një bashkëbisedimi virtual të organizuar nga Atlantic Council, ka deklaruar se Kosova merr pjesë në dialogun me Serbinë, me qëllimin e vetëm njohjen reciproke, shkruan Insajderi.

Osmani ka theksuar se Kosova nuk është shtet i cili destabilizon vendet tjera në rajon, përkundrazi, është Serbia ajo që duhet të bëhet fqinj i mirë

VIDEO:

“Është koha që Serbia të vendos se çfarë dëshiron. Kosova gjithmonë ka treguar se është palë konstruktive në dialog. Ne gjithmonë kemi zgajtur dorën e bashkëpunimit në këtë proces. Kosova është fqinjë i mirë, është koha që Serbia të sillet si fqinjë i mirë jo vetëm për ne si shtet, por edhe për Kroacinë, Malin e Zi, Bosnjën…”, u shpreh Osmani.

Ajo shtoi se Kosova në procesin e dialogut që pritet të nis në këtë muaj shkon e përgatitur mire dhe më qëllime të qarta.

“Ne do të takohemi së shpejti, këtë muaj pra në qershor. Kosova shkon në këtë proces e përgatitur mirë dhe me qëllime të qarta për të kontribuar në marrëveshje përfundimtare cilësore. Kosova është e përgatitur që të shkojë në bisedime për të arritur një marrëveshje reciproke që ka në qendër të saj njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar me tej, Osmani.

Presidentja theksoi se e gjitha varet sesi do të sillet Serbia në këtë proces dhe se çfarë mendon për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian./Insajderi.com