Osmani pret sot në takim krerët e partive, diskutohet për shtyrjen e zgjedhjeve të 17 tetorit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të takojë sot përfaqësuesit e partive parlamentare me të cilët do të diskutohet për rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të parapara të mbahen më 17 tetor, njofton Shqip.com.

Pas ftesës së Osmanit, partitë politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, megjithatë, opozita po e kundërshton me çdo kusht opsionin e shtyrjes së zgjedhjeve të 17 tetorit.

VIDEO:

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA-s Socialdemokrate, po e vlerësojnë si suspendim të demokracisë shtyrjen eventuale të zgjedhjeve.

Ndër të parët që nxori në pah idenë për shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të situatës me pandeminë, ishte kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në anën tjetër, pikërisht në kohën e pandemisë janë mbajtur edhe zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit.

Zyrtarë të afërt me presidenten kanë thënë se Vjosa Osmani nuk do të marrë vendim arbitrar për shtyrjen e zgjedhjeve lokale.

Takimi i ftuar për sot do të mbahet nga ora 17:00. /Insajderi.com