Pacientet në hall, ka tre muaj që mungojnë tri lloje të insulinave

Insulina

Në të gjitha institucionet publike shëndetësore ka rreth tre muaj që mungojnë disa lloje të insulinave. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë për Radio Kosovën se ky institucion ka iniciuar përmes Bankës Botërore, Projektin e Shëndetësisë Kosovare, një proces i përshpejtuar për sigurimin e pesë llojeve të insulinave, deri në stabilizimin e këtij procesi.

‘‘insulina Humane ka pasur ende sasi të kufizuara në stokun farmaceutik, por që i përdorin më pak pacientët insulinëvartës në Kosovë. Nga Insulinat Analoge ka mungesa të 3 llojeve, prej të cilave: për 1 lloj është nënshkruar kontrata, por për shkak të ankesës së një operatori, lënda është në Organin Shqyrtues të Prokurimit, derisa 2 lloje të tjera janë në proces të prokurimit’’, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

VIDEO:

Diabeti, konsiderohet si një sëmundje kronike që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak, si pasojë e çrregullimit të prodhimit të insulinës në organizëm.

Ndonëse nuk ka statistika të sakta, të raportuar janë më shumë se 13 mijë persona që vuajnë nga kjo sëmundje.

Pensionisti Hilmi Gashi, i sëmurë me diabet, thotë se që disa herë po shkon në barnatore të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë për të parë nëse kanë ardhur insulinat. Por atij po i duhet t’i blejë ato.

“Jam pensionist. Nuk ka ilaçe. Po duhet të lë diçka mangët, për t’i blerë ilaçet. Sepse pa të, nuk bën!’’, tha ai.

Por jo të gjitha llojet e insulinave po gjenden nëpër barnatore. Farmacisti Visar Ademi në një bisedë për Radio Kosovën tha se njëri lloj i insulinës, i quajtur Novomix, më i kërkuari nga pacientët, po mungon në treg.

“ Të gjitha insulinat që janë me veprim të shpejtë siç është ‘Novorapidi’ janë në treg, por ‘Novomix’ e që është më e kërkuara nga pacientët, pasi që mungon në institucione publike, por që përfaqësia e distributorit nuk ka, po është vështirë t’ua sigurojmë  pacientëve. Pra, ka mungesë të llojeve të insulinave edhe nëpër barnatore’’, tha Ademi.

Diabeti tip1, konsiderohet më problematik dhe numri i pacientëve që vuajnë nga ky tip i sëmundjes, është rreth 10 për qind e numrit total të të sëmurëve me diabet, si dhe është fazë më e avancuar krahasuar me tipat e tjerë të kësaj sëmundjeje.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se në botë janë më shumë se 400 milionë persona të prekur nga diabeti. Në shtetet e varfra kjo sëmundje është më shumë e pranishme.

Sëmundja e sheqerit prek edhe fëmijët. Aktualisht, në Kosovë nuk ka statistika të sakta as për fëmijët që vuajnë nga diabeti. Por, profesionistët shëndetësorë thonë se numri i tyre është çdo vit në rritje.