Pasi ka bërë thuajse një fshat personal, Ed Sheeran po ndërton tashmë edhe varrin e tij ku do të prehet pasi të vdesë

Ed Sheeran ka paraqitur plane për të ndërtuar një dhomë varrimi nën dyshemenë e kishës së re në formë varke e cila po ngrihet në mjediset e ‘mini-fshatit’ të tij të madh në vlerë prej 3.7 milionë funtesh (4.4 milionë euro) në Suffolk të quajtur Sheeranville.

Fotografitë e reja tregojnë se objekti i kultit aktualisht është në ndërtim e sipër dhe është i mbuluar me skela, ndërsa së shpejti mund t’i bashkohet një zonë varrimi në të cilën do të futej përmes një pllake në dysheme, shkruan DailyMail.

Planet e fundit nënkuptojnë se ylli 30-vjeçar i popit mund të varroset në mjediset e shtëpisë së tij në fshatin Framlingham nëse planet që janë paraqitur për varrin marrin miratimin nga oficerët e këshillit.

Vendi privat i këngëtarit britanik është modeluar me mure të lakuara në plan dhe në lartësi, të cilat i japin atij një ndjesi gjithëpërfshirëse në formë varke. Dhoma e varrimit, e cila sipas planeve do të ishte në pjesën e pasme të ndërtesës, do të kishte përmasa 8.9ft (2.71m) me 5.9ft (1.8m) që është rreth madhësisë së një varri të dyfishtë.

Sheeran, i cili ka një vlerë fitimesh neto prej 220 milionë funtesh (264 milionë euro), fillimisht nuk arriti të merrte leje për një kishëz në kopshtin e tij, por në vitin 2019 ai paraqiti plane të zvogëluara të cilat u miratuan nga fqinjët e tij si dhe nga këshilli i famullisë.

Ndërtimi sapo ka filluar në ndërtesën e re për meditim dhe lutje – e cila është në veri të shtëpisë kryesore të Sheeranit, Wynneys Hall, dhe afër kufirit lindor të pronës.

Skelat janë vendosur dhe kulla e lartë, e cila është në njërin skaj të ndërtesës, tani është në ndërtim e sipër.

Ndërtesa do të ketë një holl dhe një naos në katin e poshtëm, me një shkallë spirale në një galeri të vogël dhe një hapësirë kryesore për aktivitet. Vendi i adhurimit do të ketë një çati prej plumbi, mure stralli dhe dritare xhami me njolla.

VIDEO:

Çatia është në formë gjetheje dhe planet origjinale thonë se dizajni është reflektues i formave që janë të njohura për të gjithë, duke lejuar çdo person të interpretojë simbolikën e tij në mënyrën e vet, gjë që pasqyron parimin e të qenit shumëpërdorues dhe jo-konfesional.

Aplikimi origjinal thoshte se do të ishte një vend privat strehimi për meditim dhe lutje, për festimin e jetës dhe momenteve kryesore të familjes, mbledhjeve familjare dhe shoqërore, martesat, pagëzimet e kështu me radhë.

Ai tha se Sheeran kishte mysafirë që vizitonin nga e gjithë bota, të cilët të gjithë kanë besime dhe zakone të ndryshme dhe ai donte të siguronte një hapësirë në të cilën ai, familja e tij dhe këta vizitorë mund të tërhiqeshin për meditim, lutje dhe relaksim, për t’u takuar për të festuar dhe për të medituar në paqe dhe siguri nga trazirat.

Sheeran ka shpenzuar katër milionë funte (45.7 milionë euro) duke blerë pesë shtëpi për të krijuar pronën e tij në fshat, të quajtur Sheeranville, dhe një shtesë prej tre milionë funtesh (3.5 milionë euro) për rinovime të gjera – duke përfshirë një pijetore, shtëpi në pemë, dhomë muzikore nëntokësore dhe tunele.

Ai ka shtuar gjithashtu një pellg me kafshë të egra i cili i ka kushtuar 500,000 funte (560 mijë euro), një kuzhinë në natyrë dhe një fushë futbolli.

Sheeran ka shpenzuar muaj për të peisazhuar pronën e madhe e cila përfshin një kopsht të rrethuar me mure, një kopsht me fruta, një mini-strehë për pula, dhi dhe dele dhe një zonë argëtimi me vaskë të nxehtë.

Në nëntor të vitit 2019 u raportua se atij mund t’i duhet të hapte kishën e tij për publikun pas një grindjeje me këshillin e tij lokal.

Ylli milioneri i muzikës parashtroi plane për të hapur ‘strehën e lutjes’ në formë varke për t’u përdorur si një vend privat, por këshilli i tij lokal i famullisë më pas pretendoi se vendi do të duhej të ishte i aksesueshëm nga publiku për të paktën tre vjet në mënyrë që të licencohej. Ai theksoi se planet aktuale nuk ishin të ligjshme.

Nëpunësja e Këshillit të Famullisë së Denningtonit, Lydia Kirk, tha në atë kohë: “Deklarata e nevojës së aplikantit përshkruan përdorimin e ndërtesës ndihmëse si një vend potencial për martesa, pagëzime etj, për familjen dhe miqtë e ngushtë”.

“Këshilli i famullisë vëren se licenca shtesë do të kërkohet sipas Rregulloreve të Martesave dhe Partneriteteve Civile (Vendet e Miratuara) 2005”.

“Gjë që do të kërkonte që ambientet e licencuara të jenë të aksesueshme dhe të disponueshme për përdorim publik për një periudhë trevjeçare. Si i tillë, ky përdorim i propozuar do të ishte jashtë fushëveprimit të aplikimit aktual i cili është vetëm për një ndërtesë ndihmëse për përdorim privat”.

Donald Insall Associates, agjenti i planifikimit të Ed Sheeran për projektin, tha: “Ai do të adresonte një nevojë të rëndësishme për një vend privat strehimi për meditim dhe lutje, për mbledhjet familjare dhe shoqërore, martesat, pagëzimet, e kështu me radhë”.

“Kjo do t’i mundësonte gjithashtu familjes, miqve dhe kolegëve të aplikantit që të mund t’i shijonin këto gjëra dhe t’u bashkoheshin atyre në respektimin e tyre”.

“Ndërtesa e propozuar do të ishte një hapësirë vërtet ndihmëse e shtëpisë kryesore, por e veçuar nga ajo për të ofruar qetësi dhe ndarje”.

“Kërkuesi ka mysafirë dhe kolegë vizitorë, njerëz nga e gjithë bota.

“Shumë nga këta njerëz janë nga shumë vende, besime dhe zakone, duke përfshirë për shembull ShBA-në, Irlandën, Ganën, Nigerinë, Azinë dhe Australinë”.

Sheeran që atëherë ka arritur një marrëveshje me këshillin e famullisë në lidhje me vendin e tij të ri të adhurimit.

Fshati Sheeranville nuk është pa polemika, pasi këngëtari britanik ka pasur disa herë përplasje me fqinjët e tij në të kaluarën.

Ylli ka qenë i përfshirë në disa mosmarrëveshje ligjore mbi të drejtat e tij dhe të fqinjëve të tij për të zgjeruar tokën e tyre përkatëse.

Në vitin 2020, fqinji i këngëtarit, Anthony Robinson, fitoi një betejë kundër superyllit që hodhi poshtë planet e zotit Robinson për të zgjeruar kopshtin e tij të pasmë.

Z. Robinson, i cili jeton tre shtëpi larg nga pasuria e yllit të popit, iu dha leja për ta bërë kopshtin e tij të pasmë 160 metra më të madh, pavarësisht kundërshtimeve të Ed Sheeran.

Z. Robinson tashmë zotëronte fushën prapa shtëpisë së tij me katër dhoma gjumi – e cila vlen 550,000 funte (660 mijë euro) – dhe donte të përfshinte një pjesë të saj në kopshtin e tij privat.

Por Sheeran, i cili kishte ndërmarrë projektin e tij të madh të ndërtimit vetëm disa qindra metra larg, nuk donte që hapësira të zvogëlohej. Ai pretendoi se kjo do të ‘zgjeronte fshatin në një mënyrë të paplanifikuar dhe artificiale’.

Edhe pse këshilli kundërshtoi propozimin e z. Robinson fillimisht shumë fqinjë shkruan për ta mbështetur dhe planet e tij u miratuan përfundimisht.

Në qershor të vitit 2020, këngëtarit iu desh të luftonte që të mund të mbante tabelën 16 metra të një pijetoreje që kishte varur jashtë një hambari të shndërruar në një strofkë pijesh.

Edhe pse atij i ishte dhënë leja e planifikimit për pijetoren në vitin 2017, atij nuk i ishte dhënë leja për tabelën, gjë që bëri që vendasit të pyesnin pse ishte aty.

Sheeran-it iu tha gjithashtu se nuk mund të notonte në pellgun e tij të kafshëve të egra pasi iu dha leja për ta ndërtuar atë me kusht që të përdorej për të siguruar një habitat natyror për bretkosat, tritonat dhe pilivesat.

Këshilli vizitoi pronën e tij dhe ndaloi në mënyrë specifike notin në atë zonë. Ai gjithashtu u detyrua të hiqte saunën e tij të jashtme, në një karvan pranë pellgut, pasi fqinjët u ankuan.

Sheeran bleu shtëpinë e tij të parë në këtë vend, për rreth 900,000 funte (një milion euro) në vitin 2012. /Telegrafi/

The post Pasi ka bërë thuajse një fshat personal, Ed Sheeran po ndërton tashmë edhe varrin e tij ku do të prehet pasi të vdesë appeared first on Telegrafi.