PDK nuk merr pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit për referendumin serb

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet nesër në lidhje me mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Nënkryetari i PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media, tha se kjo seancë është e panevojshme dhe se mazhoranca po tenton që t’i shmanget përgjegjësisë.

“Qëndrimi ynë tashmë është i njohur, ku mbajtja e referendumit përbën shkelje të sovranitetit dhe integritetin e vendit tonë. Do të dëshironim që qeveria të kishte pasur një koordinim më të mirë me vendet e QUINT-it dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Abelard Tahiri.

“PDK e sheh krejt të panevojshme mbajtjen e kësaj seance dhe nuk do të marrë pjesë. E konsiderojmë të panevojshme dhe përpjekje për shmangie të përgjegjësisë”, ka deklaruar ai, transmeton KP

VIDEO:

Me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Kuvendi i Kosovës nesër (e shtunë) në orën 14:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Nesër mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për referendumin e Serbisë Nesër mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për referendumin e Serbisë

Ndyrshe, krerët shtetëror të Republikës së Kosovës, në një takim të përbashkët me Ambasadorët e Quint-it dhe përfaqësuesin e BE-së, paraqitën sot qëndrimin e tyre të koordinuar dhe të përbashkët lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca, si dhe kryeministri Albin Kurti dolën me deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, duke theksuar edhe një herë kundërshtimin e tyre për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Në deklaratë thuhet se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.

Krerët e shtetit i kanë thënë ambasadorëve se qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse.

Sipas tyre, edhe praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021.

Institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë.

Institucionet e Kosovës i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës. Për më tepër, sipas tyre, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse. /Telegrafi/

The post PDK nuk merr pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit për referendumin serb appeared first on Telegrafi.