Për herë të parë pas luftës, mbahet liturgji në kishën ortodokse brenda oborrit të UP-së

Peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji fetare të enjten në kishën e papërfunduar në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës, njofton Insajderi.

Kjo është hera e parë që mbahet liturgji në këtë kishë pas luftës.

VIDEO:

Për festën që mbahet në ditën e 40 pas krishtlindjeve ortodokste që njihet si “Dita e Ngritjes së Krishtit”, Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji së bashku me besimtarë dhe peshkopë të tjerë, shkruan KosovoOnline.

“Për herë të parë që nga viti 1998, një liturgji është mbajtur në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në qendër të Prishtinës. Liturgjia e shenjtë është shërbyer nga Peshkopi Teodosije me priftërinj dhe besimtarë në kishën e pambaruar, për nder të ditës së ngritjes”, thuhet në deklaratën e Dioçezës.

Kjo kishë kishte nisur të ndërtohej në vitin 1992 në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, por deri në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, nuk arriti të përfundohej.

Pas luftës, Kisha Ortodokse Serbe ka tentuar në disa raste ta funksionalizojë, së fundi më 2016, por nuk është lejuar nga Komuna e Prishtinës, pasi u kërkua dokumentacioni për objektin./Insajderi.com