Pesë të arrestuar për kontrabandë, pasi zbulohen 97 imigrantë në një shtëpi në Houston

Houston

Pesë persona në Teksas janë akuzuar për pjesëmarrje në një operacion të kontrabandës me qenie njerëzore, pasi 97 imigrantë janë zbuluar në një shtëpi në Houston, raporton BBC.

Zbulimi të premten nga Policia e Teksasit ka shokuar komunitetin që është rreth 480 kilometra larg nga pika më e afërt kufitare me Meksikën.

VIDEO:

Autoritetet amerikane kanë thënë se pesë personat e akuzuar gjenden ilegalisht në SHBA.

Në mars ishte parë numri më i madh i kalimeve kufitare në 20 vjetët e fundit dhe një rritje të numrit të fëmijëve që po futeshin në SHBA.

Të dyshuarit janë një nga Hondurasi, dy nga El Salvadori dhe dy nga Meksika, thonë autoritetet amerikane. Përballen me nga dhjetë vjet burgim nëse shpallen fajtorë.

Gjithë personat që u gjetën në shtëpi, ishin burra, me përjashtim të pesë grave. Të gjithë ishin të moshës madhore.

Të gjithë ishin gjetur në një shtëpi dydhomëshe, që ishte mbyllur nga jashtë për të evituar largimin.

Burrat ishin gjetur me të brendshme, dhe disa u dërguan në Spital pasi i thanë forcave policore se nuk kanë ngrënë ushqim e pirë ujë për tri ditë.

Deri më tash pesë prej tyre kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, raporton Departamenti i Shëndetësisë i Houstonit. Pritet rezultate tjera të testimeve.

Zyrtarët thanë se hetimet kanë nisur pasi një grua telefonoi autoritetet duke thënë se vëllai i saj është kidnapuar. Gruaja kishte paguar 11 mijë dollarë për të sjellë vëllain në SHBA, por kontrabanduesit e kërcënuan se do ta vrasin nëse nuk paguan më tepër, ka njoftuar Policia.

Pasi Policia ka gjurmuar telefonin e të dyshuarit, është zbuluar se telefonata ishte bërë nga shtëpia, ku u zbuluan imigrantët.

Pronarja e shtëpisë ka thënë për KTRK-TV se nuk ishte fare në dijeni se për çfarë po përdorej shtëpia e saj.