Policia operacion me autoritetet e Zvicrës, bastisje, arrestime e ngrirje të llogarive bankare

Policia me operacion

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në funksion të bashkëpunimit ndërkombëtar për zbatimin e ligjit dje ka zhvilluar një operacion të bastisjeve në katër lokacione, tri  në Regjionin e Gjakovës dhe një në Regjionin e Prishtinës.

VIDEO:

Operacioni është zhvilluar me urdhëresë të gjykatës Themelore në Prishtinë/Departamenti Special, pas  kërkesës  se pranuara nga autoritete policore  të shtetit të Zvicrës, në bashkëveprim me një ekip hetuesish dhe një prokuror nga Shteti i Zvicrës, nëpërmes ndihmës juridike ndërkombëtare.

Në rajonin e Gjakovës janë bastisur dy shtëpi me objekte përcjellëse dhe një zyre projektuese, ndërsa në Prishtinë është bastisur një banesë. Gjatë bastisjes  është arritur të sekuestrohen dokumente të ndryshme si: kontrata, fatura dhe   dokumentacione tjera përcjellëse.

Në këtë rast është sekuestruar edhe një veturë e tipit Merecedes me targa vendore pronë e të dyshuarit H.B. (1957)

Gjykata kompetente në lidhje me rastin ka shqiptuar masën për parandalimin e shitjes së pronave (dy shtëpive dhe një banesë) dhe ngrirjen e llogarive bankare të të dyshuarave.

Dy persona (H.B. dhe A.B.) janë të dyshuar për veprat penale ”Pastrim i Parave”, “Mashtrim” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve“ bazuar në legjislacion penal të shtetit të Zvicrës dhe rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Policia e Kosovës është e përkushtuar që të avancoj edhe më tej bashkëpunimin me autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare në parandalimin dhe luftimin e krimit të të gjitha llojeve, përfshirë kriminalitetin transnacional.