Premtimi i Kurtit: Me ndryshimet në Projektligjin për shërbimin e jashtëm, 70 për qind do të jenë ambasadorë të karrierës

<!–

–>

Kurti: Me ndryshimet në Projektligjin për shërbimin e jashtëm, 70 për qind do të jenë ambasadorë të karrierës.

VIDEO:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se janë në fazën e identifikimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve nga ana e diplomatëve të karrierës të cilët mund të jenë kandidat për ambasadorë në misionet diplomatike.

Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka thënë se me ndryshimet që pritet të bëhen në Projektligjin për shërbimin e jashtëm, synohet që 70% të jenë ambasadorë të karrierës, ndërsa 30% të emëruar politik.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryeministri është pyetur nga deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi, se kur do të emërohen ambasadorët e rinj, pas vendimit për shkarkimin e udhëheqësve të misioneve diplomatike.

“Jemi në fazën e identifikimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve nga ana e diplomatëve të karrierës të cilët mund të jenë kandidatë potencial për udhëheqjen e misioneve diplomatike. Deri tani ky proces i identifikimit ka rezultuar me 43 diplomatë karriere me grada të larta, të cilët mund të jenë kandidat potencial si udhëheq të misioneve diplomatike të shtetit tonë, nga 43 diplomatë, shtatë prej tyre janë me gradën ambasador, tre prej tyre aktualisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe katër si të ngarkuar të përkohshëm me punë në misione diplomatike të Republikës ë Kosovës, të cilët po ashtu llogariten si kandidat potencial për emërim si udhëheqës të misioneve diplomatike, ne gradën ministër këshilltar janë 17, si dhe këshilltar 19”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se qeveria që ai drejton është në periudhën e reformimit të brendshëm, dhe se tërheqja e ambasadorëve do të pasohet edhe me hapa të tjerë.

“Me plotësim ndryshimin që duhet të ja bëjmë projektligjit për shërbimin e jashtëm, e synojmë kuotën 70-30, kjo do të thotë që do të ketë edhe politik, por as për së afërmi sikurse që është tani”, tha Kurti.

Në muajin maj, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shkarkuar të emëruarit politik, në mesin e tyre edhe 12 ambasadorë.

Ajo ka thënë se kthimi i tyre nga misionet diplomatike ku shërbejnë do të bëhet deri më 30 gusht të këtij viti, që do të pasojë me emërimin e ambasadorëve të rinj.