Procedurat për zgjedhjen e presidentit dhe rreziku për zgjedhje të reja

Procedurat

Pa një marrëveshje me PDK-në e AAK-në e pa votat e Listës Serbe, Lëvizja Vetëvendosje pritet që sot ta thërrasë seancën për presidentin. Nën ‘kërcënimet’ për zgjedhje të jashtëzakonshme, nëse nuk votohet Vjosa Osmani, ka mbetur e paqartë a i kanë 80 votat që i duhen apo sot Kosova automatikisht mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. A i kanë votat e  LDK-së ndërkaq do të shihet kur të nis procesi i votimit.

Tre ditë para se të përfundojë afati për të zgjedhur një president të ri që do ta pasojë Hashim Thaçin, LVV-ja e Lista “GUXO” si parti e parë e dalë nga zgjedhjet do të thërrasë sot seancën për presidentin.

VIDEO:

LVV-ja që ka 58 deputetë, nuk do t’i ketë sot votat e PDK-së, AAK-së e Listës Serbe. Të sigurta nuk i ka as të gjitha votat e Lidhjes Demokratike.

Vjosa Osmani tashmë ka marrë premtimin  nga kryesia e LDK-së se deputetët e këtij subjekti nuk do t’i bëjnë telashe për numra.

Megjithatë, në opinion po qarkullojnë disa emra si deputetë potencial që mund të veprojnë ndryshe nga vendimi i Kryesisë së LDK’së në ditën kur do të thirret seanca për presidenten, ani pse Lumir Abdixhiku ka bërë thirrje të gjithë deputetët ta respektojnë një qëndrim të tillë të partisë.

Pa pjesëmarrjen e këtyre deputetëve në votim, Vetëvendosje do ta ketë të pamundur të kalojë në raundin e dytë, meqë me 58 votat e veta, 10 të minoriteteve joserbe dhe me vetëm me votat e mbetura të LDK’së, do t’i kenë në total 79 sosh, të pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin, meqë brenda kutisë së votimit duhet të jenë plotë 80 vota.

Vjosa Osmani e ka ushtruar detyrën e presidentit të Kosovës për disa muaj pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

Në marrëveshjen LVV-Lista “GUXO”, Osmani ishte bërë e ditur se do të marrë pozitën e presidentit të Kosovës.

Osmani, që ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, si kundërkandidat për pozitën e presidentit e kishte Ramush Haradinajn. Megjithatë, duket se i njëjti është tërhequr nga kjo garë.

Ajo mund të emërohet presidente vetëm nëse i siguron 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”,, saktëson Kushtetuta e Kosovës.

Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk i arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet, sipas Kushtetutës, në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh.