Prokuroria kërkon paraburgim ndaj tre personave për vrasjen në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të pandehurve F.O., G.B., dhe I.V., për shkak se dyshohen se me armë zjarri kanë privuar nga jeta viktimën B.V., njofton Insajderi.com.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi se të pandehurit, të dielën, rreth orës 19:45, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë qëlluar për vdekje viktimën B.V, duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë që kanë qenë afër tij.

VIDEO:

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e sipërshënuar, më 12 Shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të ndjerin B.V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

Në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalë tek një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, me këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprat penale “vrashe e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./Insajderi.com