PSD e shndërron Qeverinë në “Sallë Dasmash”, kundërshton punësimet familjare

Partia Socialdemokrate përmes një aktiviteti ka kundërshtuar punësimet familjare të Qeverisë Kurti. Aktivistë të PSD-së, qeverinë e emërtuan si “Sallë dashmash, këndon Besnik Bislimi”.

Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi tha para mediave se përmes këtij aktiviteti simbolik po synojnë të sensibilizojnë qytetarët për punësimet familjare nëpër ministri të ndryshme të Qeverisë Kurti.

VIDEO:

“Qysh po e shohim ky emërtim që e kemi shkruar nuk është i yni. Kështu i pati nda punët vet zoti Kurti. Dasmat janë private, ndërsa thoshte se s’ka dasma nëpër qeveri. Po përputhen fjalët sepse siç po shihet se ky është një vend një sallë dasmash ku pronar është Albin Kurti e Besnik Bislimi është këngëtari. Veçantia e ahengjeve është se muzika ndërrohet sipas dëshirës, ndërrohen edhe fjalë brenda këngëve. Vallja hedhet sipas dajres. Kemi parë këto punësime të familjarëve, ministri të mbushura me familjarë e shoqëri të cilat qeverisja Kurti i kishte kundërshtuar zëshëm në fushatë”, tha ajo.

Kuçi tha se PSD nuk do të ndalet dhe në vazhdimësi do të mbajë aktivitete të tilla për të kundërshtuar siç tha ajo punësimet në baza favorizuese.

“Punësimet në baza favorizuese përjashtojnë të tjerët. Kjo tendencë duhet të ndalet. Fakti që veprimet e qeverive të kaluara po përdoren si autorizim për këtë qeverisjen sot kjo duhet të ndalet. Si fillim duhet t’i demaskojmë ata, të tregojmë se çka po ndodh dhe këta emra që po vendosen janë nipi e mbesa e dikujt. Pra nuk duhet t’i lejojmë të kalojnë në heshtje duke u arsyetuar që qeverisjet e kaluara kanë qenë të këqija. Dh e dyta duhet që këtë tendencë me aktivizim politik të përpiqemi ta ndalojmë”, tha ajo.

Aktivistë të PSD-së këtë mbishkrim e vendosen në prani të Policisë së Kosovës, duke mos u penguar fare. Pengesë e vetme fillimisht ishin ngjyrat, të cilat nuk shkrepnin e që me vështirësi edhe shkruan mesazhin në objektin e Qeverisë./KP/

The post PSD e shndërron Qeverinë në “Sallë Dasmash”, kundërshton punësimet familjare appeared first on Telegrafi.