PSD kundërshton punësimet familjare: Qeveria Kurti kthehet në “sallë dasmash”

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar sot një aksion me të cilin ka kundërshtuar punësimet familjare gjatë Qeverisë Kurti 2, njofton Insajderi.

Aktivistë të PSD-së, qeverinë e emërtuan si “Sallë Dasmash, ku këndon Besnik Bislimi”.

VIDEO:

Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi, derisa iu adresua mediave, tha se përmes këtij aktiviteti simbolik po synojnë të sensibilizojnë qytetarët për puënsimet familjare nëpër ministri të Qeverisë Kurti.

“Qysh po e shohim ky emërtim që e kemi shkruar nuk është i yni. Kështu i pati nda punët vet zoti Kurti. Dasmat janë private, ndërsa thoshte se s’ka dasma nëpër Qeveri. Po përputhen fjalët sepse siç po shihet se ky është një vend një sallë dasmash ku pronar është Albin Kurti e Besnik Bislimi është këngëtari. Veçantia e ahengjeve është se muzika ndërrohet sipas dëshirës, ndërrohen edhe fjalë brenda këngëve. Vallja hedhet sipas dajres. Kemi parë këto punësime të familjarëve, ministri të mbushura me familjarë e shoqëri të cilat qeverisja Kurti i kishte kundërshtuar zëshëm në fushatë”, tha ajo.

“Punësimet në baza favorizuese përjashtojnë të tjerët. Kjo tendencë duhet të ndalet. Fakti që veprimet e qeverive të kaluara po përdoren si autorizim për këtë qeverisjen sot kjo duhet të ndalet. Si fillim duhet t’i demaskojmë ata, të tregojmë se çka po ndodh dhe këta emra që po vendosen janë nipi e mbesa e dikujt. Pra nuk duhet t’i lejojmë të kalojnë në heshtje duke u arsyetuar që qeverisjet e kaluara kanë qenë të këqija. Dh e dyta duhet që këtë tendencë me aktivizim politik të përpiqemi ta ndalojmë”, shtoi më tej Kuçi. /Insajderi.com