Pse LDK s’po e dërgon vendimin e Osmanit për shkarkimin e Dakës në Kushtetuese?

LDK

Gjatë javës së kaluar, Avokati i Popullit të Republikës së Kosovës ka refuzuar ankesën e Valdete Dakës, kundër vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Dakës si kryesuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se Daka nuk ka ofruar dëshmi apo që ka përdorur mjetet juridike kundër vendimit të Presidentes Osmani.

Pas refuzimit nga Avokati i Popullit, çështja e Valdete Dakës mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese edhe përmes mbledhjes së nënshkrimit të deputetëve.

VIDEO:

Partia Demokratike e Kosovës kishte deklaruar më herët për lajmi.net se ashtu siç e ka inicuar dërgimin e kësaj çështje në Kushtetuese, ende është e gatshme që ta procedojë tutje këtë çështje, por se ka munguar vullneti i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kishte deklaruar për lajmi.net se çështjen e shkarkimit të Valdete Dakës ia kanë lënë në dorë Avokatit të Popullit.

Analisti politik, Shkodran Ramadani, ka cilësuar se LDK-ja është duke e kursyer Presidenten Vjosa Osmani, duke mos e mbështetur dërgimin e çështjes së Dakës në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë besoj që LDK-ja është duke e kursyer Vjosa Osmanin, për shkak të afërsisë që ka Lumir Abdixhiku dhe krahu i tij i cili tash e udhëheq Lidhjen Demokratike të Kosovës me Vjosa Osmanin për shkak se dihet që një periudhë të gjatë Osmani ka krijuar karrierë në LDK dhe kjo ka pasojat e veta. Gjithashtu, dihet se kjo afërsi është e konkretizuar dhe ka luajtur rol të madh edhe në zhbllokimin e ngërqit në procesin e zgjedhjes së presidentes, ku LDK-ja ia bëri edhe kuorumin por edhe ia dha votat për ta zgjedhur Vjosa Osmanin president të Kosovës. Kjo afërsi vazhdon edhe tash në këtë situatë, ku edhe pas vërejtjeve serioze e të mëdha në Raportin e Progresit për Kosovën ku është kritikuar procedurën dhe mënyrën se is është shkarkuar Valdete Daka, ka bazë të mjaftueshme për ta inicuar një process në Gjykatën Kushtetuese kundër Presidentes”, ka deklaruar Ramadani për lajmi.net.

Tutje, ai ka thënë se LDK-ja nuk po dëshiron të identifikohet me PDK-në pikërisht për shkak të afërsisë që ka me Vjosa Osmanin dhe në këtë mënyrë është duke bërë kalkulime për të ardhmen.

“LDK-ja shpreson që pas këtyre favoreve, një ditë Vjosa Osmani t’ua shpërblejë dhe t’ua paguajë borxhin e LDK-ja të fitojë nga kjo situatë. Për shkak se LDK-ja llogarit se me rënien e Vjosa Osmanit mund të bie e gjithë Qeveria Kurti e pastaj President mund të zgjedhet ndonjë emër që nuk ka afërsi me LDK-në dhe kjo konsiderohet si ‘hap mbrapa’ nga LDK-ja”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka theksuar se sipas tij LDK-ja nuk do ta mbështes dërgimin e Vjosa Osmanit në Gjykatën Kushtetuese, por ka thënë se mendon që një veprim i tillë do të duhej të ndodhte pasi që edhe Bashkimi Evropian ka dhënë bazë të mjaftueshme për këtë hap.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, ka thënë se partitë politike pa përjashtim nuk e kanë marrë seriozisht reformën zgjedhore dhe depolitizimin e KQZ-së, andaj edhe ndodhin veprime të tilla.

“Së pari dhe së fundi, nuk ka seriozitet në reformën zgjedhore nga këto parti as të pozitës por as opozitës. Gjithmonë do të ndodhin gjëra të tilla deri sa KQZ-ja të mbetet e pa-depolitizuar. Ish-kryesuesja e KQZ-së që tash dëshiron të gjejë ndonjë parti për të dërguar lëndën e saj në Gjykatën Kushtetuese, asnjëherë nuk e kishte ngritur zërin për ndalur partitë politike nga presioni që i bënin anëtarëve të KQZ-së”, ka thënë Burjani për lajmi.net.

Ai ka thënë se anëtarët e KQZ-së janë të pavarur nga partia dhe kjo definohet me ligj, por asnjëherë nuk janë trajtuar si të tillë.

“Daka po mundohet të gjejë ndonjë parti për ta dërguar lëndën e saj në Kushtetuese, por kjo nuk po i ecën. Partitë nuk mendojnë për Dakën e as për KQZ-në, pasi që këtë të fundit e trajtojnë si pronë të tyre, por ato mendojnë për vete”, ka thënë Burjani.

Tutje, ai ka thënë se duhet të ndodhë depolitizimi i plotë e praktik i KQZ-së dhe ky institucion të mos përdoret si mjet politik nga subjektet politike për të rrëzuar Qeveritë.

“Partitë që deri më tani i kanë shikuar interesat e tyre, duhet të kërkojnë reformë zgjedhore dhe të heqin dorë nga KQZ-ja e të mos e trajtojnë politikisht. KQZ-ja në fakt është institucion profesional andaj nuk duhet të bëhen emërime të partive dhe pastaj të bëhet lojë politike e KQZ-së”, ka deklaruar Burjani.

Në fund, Burjani ka thënë se defektet e KQZ-së janë të vjetra që nga viti 2008.