Pse Liburn Aliu vazhdon t’i mbajë në ministri, Bytyqin e përfolur për 2 milionëshin dhe ‘babën e tenderëve’?

Pritjet nga qytetarët për qeverinë e re, Kurti II janë të mëdha, sidomos në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kjo pritje vije edhe si ofertë zgjedhore e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që partia e Kurtit fitoi mbi 50 për qind të votave më 14 shkurt.

Për të qenë edhe më konkret në këtë luftë anti-korrupsion dhe anti-mafia, Kurti vendosi ministër njeriun më të afërt të tij, Liburn Aliu, duke e pozicionuar në Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo ministri është përfolur shumë për korrupsion dhe njerëz të korruptuar si brenda ashtu edhe jashtë.

Megjithëse pritjet ishin të mëdha që Aliu do të veprojë shpejt si ministër në këtë digaster, tashmë po hyjmë në javën e tretë dhe ende nuk ka vendim të madh të tij për shkarkimin e njerëzve të përfolur për korrupsion.

Në Ministrinë e Infrastrukturës, që tash i janë bashkuar edhe Ambienti dhe Planifikimi Hapësinor, vazhdon të jetë sekretar Izedin Bytyqi, njeriun të cilin ish ministrja e Financave, Hykmete Bajrami e pati implikuar në vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

VIDEO:

Po ashtu në këtë ministri vazhdon të punojë edhe Nexhat Krasniqi, i njohur si “baba i tenderëve” dhe personi që ishte dënuar për korrupsion me vendim të plotfuqishëm, e të cilit i ishte konfirmuar dënimi nga Gjykata Supreme.

Izedin Bytyqi vetëm pak ditë para se ish ministri Arban Abrashi të largohej nga zyra, ishte shkarkuar për shkak të Nexhat Krasniqit, mirëpo atë në punë e riktheu ish ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Bytyqi u bë sekretar në MI kur në krye të ketij institucioni erdhi Lumir Abdixhiku, tash kryetar i LDK-së.

“Në vijë me vlerësimin e performancës së Izedin Bytyqi, sekretar i përgjithshëm në ish-ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kërkoj nga ju pëlqimin për ricaktimin e tij në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit”, ka thënë para kabinetit qeveritar ministri Abdixhiku në shkurt të vitit 2020.

Papërgjegjësia e MI-së nuk përfundon këtu. Sipas ish ministres Bajrami, ky rast do te duhej të lajmërohej më herët në thesar nga zyrtari financiar kryesor dhe drejtori i buxhetit në Ministrinë e Infrastruksturës.

Bytyqi ishte kritikuar se nga kjo pozitë pati ndikuar në punësimin e resë të Isa Mustafës.

Edita Bajrami, gruaja e Besnikut, djalit të ish-kryeministrit Isa Mustafa ishte angazhuar si eksperte për të ndihmuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në rishikimin e Strategjisë Sektoriale.

Por kush është Izedin Bytyqi, njeriu i Isa Mustafës të cilën ish kryeministri Albin Kurti e kishte bërë sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës?

Izedin Bytyqi ishte kritikuar për punësimin e resë së kreut të LDK-së, madje i njëjti ishte dënuar pasi në një rast tjetër kishte tentuar ta mashtrojë shtetin.

I njëjti para se ta marr këtë pozitë ka qenë edhe sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në kohën kur ministria udhëhiqej nga Arban Abrashi.

Angazhimin e resë së ish-kryeministrit më 2017 e pati konfirmuar po Izedin Bytyqi, ish-sekretari në MPMS.

Ai pati thënë se Edita ishte angazhuar në kuadër të një projekti që, sipas tij, Ministria e pati ndërmarrë në bashkëpunim me Komisionin Europian për rishikimin e një strategjie të ministrisë.

“Është (punësuar) në kuadër të një projekti, Strategjisë së Rishikimit Sektorial të Ministrisë, nuk është punëtore e rregullt e Ministrisë. Aty janë të angazhuar 5-6 ekspertë”, pati thënë Bytyçi.

Sipas tij, bëhej fjalë për një angazhim të përkohshëm, deri në gjashtë muaj, kohë sa pritej të zgjaste procesi i rishikimit të strategjisë në fjalë.

Më vonë u konstatua se kjo përgjigje nuk ishte e saktë.