Pse Merkel zgjodhi Beogradin dhe Tiranën për vizitë lamtumirëse?

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të vizitojë vetëm Tiranën dhe Beogradin gjatë turneut lamtumirës në Ballkan. Ky fakt ka ngritur pyetje të shumta, para së gjithash se “pse u zgjodhën pikërisht këto dy qytete?”.

Drejtori i Institutit për Çështjet Evropiane në Serbi, Naim Leo Beshiri, thotë se duket sikur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i duken Merkelit “si fëmijët e saj të dashur në Procesin e Berlinit”.

VIDEO:

Madje, ai thotë se me largimin e saj nga skena politike, mund të jetë edhe fundi i Procesit të Berlinit.

“Më duket se Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama i duken Merkelit si fëmijët e saj të dashur në Procesin e Berlinit, të cilin ajo nuk ka arritur ta realizojë në tërësi. Kam frikë se largimi i saj nga skena politike do të jetë edhe fundi i Procesit të Berlinit, i cili kurrë nuk u konceptua si zëvendësim i anëtarësimit në BE, por si një motor rajonal i reformave, i cili më pas do të çonte në anëtarësimin në BE”, thotë Beshiri për DW.

Sipas tij, vizita lamtumirëse e Merkel pak para zgjedhjeve në Serbi, po shihet si një mbështetje e saj ndaj Vuçiqit, i cili praninë e kancelares gjermane e përdorë për të treguar se ka mbështetje nga Perëndimi.

“Angela Merkel po vjen për të bërë një vizitë lamtumire pak para zgjedhjeve në Serbi për të mbështetur përsëri Aleksandar Vuçiqin. Prania e saj do të përdoret nga presidenti serb për të treguar se ka mbështetje nga Perëndimi. Do të përdoret për fushatë zgjedhore në Serbi”, thotë Beshiri.

Më 13 dhe 14 shtator, Merkel realizon vizitat e saj në Beograd dhe Tiranë, me ç’rast do të takojë liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit. /Insajderi.com