“Qeveria Kurti e ka të pashmangshme dialogun, marrëveshja e Washingtonit s’mund të pengohet”

Qeveria në ardhje që pritet të drejtohet nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka të pamundur shmangien e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas formimit të institucioneve ndonëse dialogu nuk është prioritet për Kurtin, transmeton Insajderi.

Kështu vlerëson Arton Demhasaj nga organizata ‘ÇOHU’, i cili shprehet se për vazhdimin e dialogut ndaj Kurtit do të ketë presione nga Bashkimi Evropian dhe Washingtoni.

“Pa marrë parasysh se çfarë qasje ka Kurti ndaj dialogut është e pashmangshme që do të obligohet në një mënyrë me u marr me dialogun sapo të konstituohen institucionet e Kosovës. Nuk besoj se do të ketë presion vetëm nga Brukseli po edhe nga Ëashingtoni që sa më parë me u rikthy në procesin e dialogut me tendencë të përmbylljes së këtij procesi shumëvjeçar”, ka thënë Demhasaj për EO.

VIDEO:

“Në aspektin e prioriteteve të shoqërisë nuk ekziston si prioritet dialogu, janë shumë çështje tjera që lidhen si prioritet. Duke marrë parasysh qështjet që lidhen me politikat ndërkombëtare ose politikën e jashtme dhe presionin që ekziston nga faktori ndërkombëtar për t’u përmbyllur procesi i dialogut mendoj që ka me qenë e domosdoshme që Qeveria sapo të krijohet të fillojë të përgaditet për tu marrë me dialogun. Me tendencë që të arrihet një marrëveshje finale e që synimi duhet gjithmon të jetë njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës” ka shtuar ai.

Për deklaratat e Kurit se dialogu, s’do të jetë prioritet ka pasur reagime dhe nga Bashkimi Evropian, zyrtarë të së cilës kanë bërë thirrje që ky proces duhet të vazhdojë pas formimit të institucioneve.

Sipas Demhasaj është e vështirë të pengohet zbatimi i Marrëveshjes së Washingtonit.

“Mosshtyerja para e Marrëveshjes së Washingtonit do të jetë kogja e vështirë, me pengu atë marrëveshje. Ajo është një lloj zotimi i nënshkruar nga dy palët, ku pala e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pala e Kosovës e kanë marrë zotimin në atë letër ose marrëveshje çfarëdo që ta quajmë dhe mendoj që është problem ndalja e zbatimit të saj. Ne e kemi parë që një pjesë e asaj marrëveshje veç ka filluar të zbatohet siç është njohja nga Izraeli, nënshkrimi i disa marrëveshjve për investime amerikane në rajon” është shprehur ai.

Sipas Demhasajt, Marrëveshja e Washingtonit mund të mos gjejë zbatim vetëm nëse administrate Biden shfaqë ndonjë mospajtim për të.

“Për faktin që është ndërruar administrata në Washington mbetet të shihet se a do të jetë qëndrimi i njëjtë si administratës së re Biden karshi kësaj marrëveshje apo jo. Nëse ka ndonjë tendencë sado të vogël që administrata Biden nuk pajtohet me përmbajtjen e asaj marrëveshje që unë dyshoj se ka me pas atëherë nuk kemi rrugë tjetër pos të merremi me zbatimin e saj dhe nuk mund ti kundërvihemi marrëveshjes” ka përfunduar ai. /Insajderi.com