Qeveria Kurti planifikon të hyjë në borxh mbi gjysmë miliardi gjatë këtij viti

<!–

–>

Mbi gjysmë miliardi planifikon të hyjë në borxh Qeveria Kurti gjatë këtij viti.

VIDEO:

Mbi gjysmë miliardi po planifikon të hyjë në borxh Qeveria Kurti deri në fund të këtij viti. Kjo do ta rrisë borxhin publik për 109 milionë euro më shumë sesa që kishte planifikuar Qeveria e kaluar, duke e rritur atë në mbi 1 miliard e 992 milionë.

Programi për borxhin publik 2022-2024, që ka siguruar KOHA, është miratuar javën e kaluar në Qeveri, me ç’rast ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se objektivi i Qeverisë është financimi i deficitit buxhetor me kosto sa më të ulët të mundshme.

Ndërkaq, shqetësuese mbetet ngecja në realizimin e projekteve, për të cilat qeveritë e kaluara kanë hyrë në kredi, e taksapaguesit paguajnë taksë si ndëshkim për keqmenaxhim.

Sipas Blendi Hasajt, hulumtues në Institutin GAP, Qeveria duhet të fokusohet në projekte që sigurojnë kthim ekonomik dhe realizimi të bëhet sipas dinamikës.

“Rritja e borxhit duhet të jetë e justifikueshme dhe për vitet e ardhshme, përjashto vitin 2021 kur duhet të planifikohet një ndërhyrje për rimëkëmbje ekonomike, projektet e ardhshme duhet të justifikohen që të ketë një kthim ekonomik pasi që duhet të ketë përgjegjësi edhe për gjeneratat e ardhshme dhe të investohet në sektor strategjik që mund të nxisin zhvillimin ekonomik”, ka deklaruar Blendi Hasaj, hulumtues në Institutin GAP.

Nga 42 projekte që janë mbështetur me kredi, vetëm një e treta e mjeteve janë tërhequr, shkaku i keqmenaxhimit nga institucionet e vendit.

“Një problematikë që është paraqitur sidomos tek realizimi i klauzolës së investimeve është se njësitë implementuese brenda shtetit del të jenë të papërgatitura që të implementojnë kërkesat që kanë institucionet që kanë hy në borxh. Kjo ka ndikuar që të kemi borxh që është ratifikuar, por që nuk është disbursuar ndërvite, ndonëse është rritur edhe stoku i borxhit”, ka shtuar Hasaj.

Deri në vitin 2024 borxhi publik pritet që të arrijë vlerën e 3 miliardë e 178 milionë eurove, që është tavani deri ku shteti mund të shkojë me borxh.

Sipas Programit për borxhin publik 2022-2024 që ka siguruar KOHA, Qeveria planifikon të hyjë në kredi të reja që destinim kryesor kanë shëndetësinë-vaksinimin e popullatës dhe ndihmën ndaj sektorëve më të goditur të ekonomisë.