Qytetarë të moshuar presin thirrje nga institucionet shëndetësore për të marrë vaksinën anti-COVID

72 vjeçari nga Prishtina, Esat Rama, në pritje që të marrë vaksinën anti-COVID, ka deklaruar se nuk është lajmëruar nga institucionet shëndetësore, pasi i kanë thënë të pres thirrje telefonike nga autoritetet, transmeton Insajderi.

“Po pres që të më thërrasin në telefon edhe pse nuk e di si e marrin numrin tim të telefonit. Mua asnjëherë në ambulantë (Qendër të Mjekësisë Familjare), kur kam shkuar për vizitë apo kur e kam marr vaksinën sezonale, nuk më është kërkuar numri i telefonit. Por, ata (Ministria e Shëndetësisë) kanë thënë mos të lajmëroheni”, ka thënë Rama.

Personave të moshuar dhe atyre me sëmundje kronike, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje që të mos shkojnë te salla “1 Tetori” në Prishtinë për vaksinim, pasi ata do të kontaktohen nga njësitë e vaksinimit, që gjenden në çdo komunë për t’u vaksinuar, sipas listave të siguruara nga institucionet e vendit.

VIDEO:

Ministria e Shëndetësisë theksoi për REL se institucionet shëndetësore, duke filluar nga kujdesi parësor, regjistrojnë grupet me prioritet për vaksinim sepse këta persona të njëjtë regjistrohen po ashtu për të marrë vaksinën kundër gripit sezonal. Gjithashtu, MSH-ja thotë se një numër i personave që kanë sëmundje kronike, janë pacient të rregullt të këtyre qendrave të kujdesit shëndetësor.

Nga MSh u tha se ka siguruar një listë edhe nga qendrat sociale të personave mbi 65 vjeç, ku figurojnë personat e pensionuar. Po ashtu, në dispozicion të qytetarëve është vënë edhe ueb-faqja eKosova, ku qytetarët mund të regjistrohen për vaksinim, e cila gjatë të martës dhe të mërkurës nuk ka funksionuar.

Hazbije Halimi, 65 vjeçe, shpreson t’i vijë radha më shpejt për vaksinim edhe pse ajo thotë se nuk di ta përdorë kompjuterin, në mënyrë që të regjistrohet në ueb-faqen eKosova.

“Jo, nuk di ta përdor kompjuterin, kurrë nuk e kam përdorur. Djemtë duhet të angazhohen për të rregulluar këtë çështje për mua dhe bashkëshortin tim”, tha Halimi.

Arbenita Hajdari, drejtoreshë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan, tha se viteve të kaluara, personat e moshuar, kur kanë marr vaksinat sezonale, nuk u është kërkuar ndonjë numër kontaktues.

Sipas Hajdarit, qendra që ajo udhëheq, para dy muajsh, përmes rrjeteve sociale u ka bërë thirrje qytetarëve që të regjistrojnë familjarët e tyre që janë mbi 75 vjeç dhe të lënë numrat kontaktues.

“Në atë kohë, kur kemi filluar përgatitjet për vaksinim, i kemi kërkuar qytetarëve, të cilët kanë anëtarë të familjes mbi 75 vjeç, t’i regjistrojmë në mënyrë që ne të krijojnim një data-bazë, që kur të arrijnë vaksinat ta kemi më të lehtë procesin e imunizimit. Deri më tani janë regjistruar mbi 400 persona”, tha Hajdari.

Ndërsa në Gjakovë situate është ndryshe, Afërdita Spahiu-Shllaku nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e kësaj komune, tha se nuk kanë numra kontaktues për personat e moshuar, por kanë vetëm numrin e personave që janë me diabet.

“Ne i kemi dorëzuar listat e personave të sëmurë me diabet, të cilët furnizohen me insulinë. Lista të tjera apo numra kontakti nuk kemi. Aktualisht, nuk kemi ndonjë njoftim nga Ministria e Shëndetësisë se cila moshë do të vaksinohet. Por, ne jemi në kontakt me ta dhe do të shikojmë se si do të rrjedhë procesi i imunizimit”, tha Spahiu-Shllaku. /Insajderi.com