Rashiq: Sulmi ndaj djalit tim ishte i paralajmëruar

Nenad Rashiq

“Grupi i personave që e ka pritur djalin tim pas shkollës, një ditë më herët ka publikuar në Facebook dhe Instragram, postime ku thuhej ‘nesër prehet shiptari’ dhe ‘kush do ta mbijetojë të hënën do të tregojë për të’”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nenad Rashiq, lideri i Partisë Demokratike Progresive. Ai ka shtuar se këto postime do t’i bëjë publike në një konferencë për media.

Djali i Rashiqit, Nikolla është sulmuar të hënën, më 22 shkurt, në Llapnasellë të Graçanicës, komunë e banuar me shumicë serbe.

Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për REL, ka konfirmuar se në këtë “rrahje masive kanë marrë pjesë nxënës të shkollës së mesme, por edhe disa persona të tjerë” dhe se një person ka marrë lëndime të rënda trupore dhe më pas është dërguar në spital.

VIDEO:

Për këtë rast, Policia ka ndaluar tetë persona, në mesin e të cilëve edhe një person të mitur. Ndaj tetë personave është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për shkak se ata dyshohen se kanë marrë pjesë në rrahje.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thanë për REL se Prokurori i Shtetit do të bëjë kërkesë për masën e paraburgimit ndaj të ndaluarve.

Djali i Nenad Rashiqit, Nikolla, 18 vjeç, është nxënës i vitit të fundit të gjimnazit në Llapnasellë dhe sulmi ndodhi derisa ai ishte duke dalë nga shkolla.

Drejtori i gjimnazit, Dejan Deniq tha për Radion Evropa e Lirë se Nikolla nuk ka qenë “tinejxher problematik”.

“Sipas informatave që i kemi, rrahja ka ndodhur për shkak të disa arsyeve private, që nuk kanë të bëjnë me shkollën”, tha ai.

Nenad Rashiq thotë për REL se grupi i të rinjve e kanë pritur djalin e tij para shkollës dhe së pari kanë filluar që ta fyejnë dhe pastaj e kanë sulmuar fizikisht, duke e rrahur me “boks të hekurit” në kokë.

“I janë afruar djalit tim dhe i kanë thënë ‘çka bën tash, ti shiptar’”, tregoi Rashiq.

“Shiptari” është term pezorativ që përdoret në gjuhën serbe ndaj shqiptarëve.

Nikollës i është thyer nofulla dhe tri dhëmbë.

“Djali im ishte caku. Sipas mendimit tim, kjo ishte tentim-vrasje”, thotë Rashiq.

Ai mendon se e gjithë kjo është “pasojë e kundërshtimit të tij shumëvjeçar ndaj presioneve politike”.

Ndryshe, Rashiq është kundërshtar politik dhe kritik i zëshëm i Listës Serbe, subjekt politik në Kosovë, që prej formimit më 2013, është i vetmi përfaqësues i komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Ky subjekt gëzon mbështetje të plotë të Beogradit zyrtar, por edhe të shumicës së trupit elektoral të komunitetit serb në Kosovë.

Rashiqi disa herë është kritikuar nga Lista Serbe dhe zyrtarët në Serbi për qëndrimet e tij. Ditëve të fundit ai ka folur hapur se si Lista Serbe po u bën presion votuesve serbë për të votuar për Adrijana Hoxhiqin dhe subjektin e saj “Komuniteti i Bashkuar”, duke ua privuar rivalëve politikë boshnjakë përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës.