Reagon Këshilli Prokurorial: Ndërkombëtarët do të ftohen për monitorim të zgjedhjes së Kryeprokurorit

<!–

–>

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pasi Ambasada Britanike në Kosovë është shprehur e befasuar me vendimin e marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për të shpallur konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, KPK’ja ka thënë se i ka njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë.

VIDEO:

“KPK-ja i ka njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë me agjendën e takimit të 208 të saj, ku ishte caktuar si pikë e rendit të ditës propozimi për shpalljen e Konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do të vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë këtë proces”, thuhet në komunikatë.

Ky institucion ka thënë se edhe në këtë proces do të ftojë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparente zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të Republikës së Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme që po japin partnerët ndërkombëtarë, andaj edhe do të vazhdojë të bashkëpunojë për të gjitha proceset e sistemin prokurorial të Kosovës, me qëllim të fuqizimit dhe ngritjes së vazhdueshme të efikasitetit të këtij sistemi”, thuhet në fund të komunikatës së KPK’së.

Komunikata e plotë:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), më 12 janar 2022, në takimin e 208-të me radhë të tij, duke respektuar afatet ligjore, respektivisht Rregulloren nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, e cila përcakton që konkursi shpallet së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të Kryeprokurorit aktual të Shtetit, ka marrë vendim për shpalljen e Konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

KPK-ja i ka njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë me agjendën e takimit të 208 të saj, ku ishte caktuar si pikë e rendit të ditës propozimi për shpalljen e Konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do të vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë këtë proces.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës, sikurse në proceset e tjera, edhe në këtë proces do të ftojë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparente zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të Republikës së Kosovës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme që po japin partnerët ndërkombëtarë, andaj edhe do të vazhdojë të bashkëpunojë për të gjitha proceset e sistemin prokurorial të Kosovës, me qëllim të fuqizimit dhe ngritjes së vazhdueshme të efikasitetit të këtij sistemi.